Presidenti i zgjedhur, ish-kreu i LSI-së Ilir Meta ka folur sot në emisionin “Koha për t’u zgjuar” të Bashki Hoxhës për situatën parazgjedhore, 3 ditë para se shqiptarët të japin verdiktin dhe të zgjedhin se kush do t’i udhëheqë në 4 vitet e ardhshme.

Lidhur me përshtypjen e tij për fushatën e zhvilluar, Meta tha se kanë munguar programet dhe bilancet. Sipas tij, ‘kryeministri në largim’ ka futur gjetje të reja në fushatë si ‘timon’ e ‘tepsi’ për shkak të mungesës së vizionit.

I pyetur nëse ka garanci për ditën e zgjedhjeve duke u nisur nga disa incidente, Meta deklaroi se do jenë rreth 200 mijë të rinj që do e garantojnë këtë proces por se përgjegjësinë për çdo pikë gjaku të derdhur do ta ketë kryeministri Rama dhe Drejtori i Policisë.

Gazetari: Kur do ta mbyllim në Durrës?

Meta: Në orën 17:00 janë të gjithë të ftuar, por më duket shumë i vogël sheshi i Durrësit.

Një natë më parë, po në sheshin “Liria” mbylli fushatën në Durrës Partia Socialiste me kryeministrin Edi Rama. Ndërsa sipas pritshmërive të Metës, ky shesh nuk do t’i përballojë dot të gjithë simpatizantët dhe militantët e LSI-së në Durrës, duke treguar kështu se mbështetësit e kësaj force politike i tejkalojnë ata të PS-së.