Më 1 qershor, festën e fëmijëve nuk kanë munguar urimet e politikanëve shqiptarë! Nisur se kjo festë përkon me një situatë të pazakontë, për shkak të pandemisë, edhe urimet kanë qenë jo aq të zakonshme, ku dominohen nga apelet e politikanëve për më shumë vëmendje ndaj tyre pas ditëve të vështira që kanë kaluar.

“Sot festa e 1 qershorit është vetërikthimi në kopsht dhe çerdhe”, shkruan kryeministri Edi Rama.

Edhe kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka mesazh për politikën, duke i thënë që të lënë pas mëritë në emër të buzëqeshjes së fëmijëve e ndërsa vë theksin që në këtë vit shkollor duhet pasur shumë kujdes që të reflektohen të gjitha mangësitë e këtij viti.

“Me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, u uroj gjithë fëmijëve shqiptarë shëndet dhe gëzime, në familjet dhe shoqërinë e tyre. Ky 1 Qershor i gjeti fëmijët shqiptarë në dalje nga një gjendje e vështirë për ta, familjet dhe atdheun. Kopshtet dhe shkollat mbyllën dyert përkohësisht, për shkak të pandemisë. Vogëlushët shqiptarë, si miliarda vërsnikët e tyre në të gjithë botën, nuk shkojnë në shkollë, por zhvillojnë mësime nga shtëpia; janë të përmbajtur të përqafohen me gjyshet e gjyshërit;  kanë të kufizuara lojrat me shoqet e shokët e tyre; dhe i janë nënshtruar një disipline që nuk është e zakonshme për ta. Por kjo ndodhi në emër të mbrojtjes së jetës së tyre. Tashmë që pandemisë po i vjen fundi, fëmijët do t’u kthehen jetës normale, mësimeve, lojrave dhe gëzimeve të saj. Në mbledhjen e Grupit të deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”, para disa ditësh, porosita Qeverinë dhe deputetët të bëjnë kujdes që me fillimin e vitit të ri shkollor të marrin masa për të kompensuar të gjitha mangësitë e këtij semestri të vështirë, duke qenë të vetëdijshëm për mangësitë dhe pamjaftueshmërinë praktike të mësimit virtual; të sigurojnë mbështetje funksionale e produktive për fëmijët e familjeve të varfëra dhe me nevoja të veçanta; të marrin masa që shërbimet sociale për fëmijët dhe nënat të shtrihen në të gjitha bashkitë dhe në të gjithë territorin, sidomos në fshat; të përfundojnë reformën e deinstitucionalizimit të fëmijëve. Ne, shtetarët, qeveritarët dhe politikanët duhet të bëhemi të vetëdijshëm që të tresim mëritë dhe konfliktet tona, në emër të së ardhmes dhe buzëqeshjes së fëmijëve tanë”, shkruan Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.