Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka qenë sot i pranishëm ceremoninë e 10 vjetorit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. Gjatë fjalës së tij, Basha u shpreh se aktualisht Shqipëria ndodhet në udhëkryq duke theksuar se vendi ndodhet në mes dy rrugëve, të gjejë rrugën e zhvillimit apo të ecë indietro si tani me qeverinë aktuale.

Kryedemokrati tha gjithashtu se Shqipëria duhet të realizojë reformat në mënyrë që të afrohet sa më shumë me Bashkimin Europian dhe SHBA.

“Dialogu me miqtë dhe partnerët tanë strategjikë është në zemër të së ardhmes plot shpresë për Shqipërinë. Askush nuk duhet ta vërë në dyshim: e ardhmja jonë është plot me shpresë. Por sot kombi ynë ndodhet në udhëkryq. Ndërkohë që duam të afrohemi më shumë drejt miqve dhe partnerëve tanë në Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara, ne na pret një punë kolosale, me reforma dhe ndryshime të mëdha përpara. Shqipëria është në krizë, dhe potenciali ynë i madh fatkeqësisht nuk po realizohet. Ndaj dhe koha kur jemi mbledhur për të përkujtuar 10 vjetorin e AADF është domethënëse. Në këtë udhëkryq ku ndodhemi sot, ne na duhet të zgjedhim cilën rrugë do të marrim. Do të zgjedhim rrugën e lirisë, transparencës, llogaridhënies dhe zhvillimit? Apo do vazhdojmë të ngecim në rrugën e tanishme, me marshin në indietro. Zonja dhe zotërinj, miq, Nuk kemi zgjedhje tjetër për veç se të marrim rrugën e parë. Rrugën e zhvillimit. Dhe për ta bërë këtë të mundur, na duhet jo vetëm të punojmë ngushtësisht me ju, me miqtë e partnerët tanë euro-atlantikë, por të vëmë në jetë reforma dhe ndryshime të mëdha. Na duhet ta pastrojmë Shqipërinë”, -tha Basha.