Qyteti i Shijakut prej disa javësh është kthyer në një kantier ndërtimi. Nga bashkia është punuar intensivisht për çdo aplikim të familjeve të prekura nga tërmeti dhe madje është bashkia e parë që ka nisur rikonstruksionin e pallateve që përfitojnë nga grantet dhe rindërtimin e banesave individuale.

Sot ishte i pranishëm në fshatin Rubjekë të Njësisë Administrative Maminas, Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj për të inspektuar nga afër punimet e rindërtimit të banesave individuale. Brenda shtatorit, këto familje do të marrin në dorë çelësat e shtëpive të tyre të reja. DurrësLajm mëson nga burime zyrtare të bashkisë Shijak se 100 familjeve të e para do t’u dorëzohen shtëpitë e reja deri në fund të muajit shtator, ndërsa të gjitha shtëpitë e tjera individuale në bashkinë Shijak pritet të përfundojnë brenda muajit dhjetor të këtij viti. 

Në Bashkinë e Shijakut ka filluar puna paralelisht në të gjithë njësitë administrative dhe aktualisht po punohet me shumë kantiere: banesat individuale, shkollat, rikonstruksionin e pallateve.

Kryebashkiaku Arbana u shpreh mjaft i kënaqur me ritmet e larta me të cilat po punohet: “Kryeministri dhe Qeveria shqiptare po i japin një mbështetje maksimale çdo familje të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit që shumë shpejt të kenë shtëpinë e tyre të re me standarte moderne dhe të sigurtë.”
Ai ka falenderuar Kryeministrin për vullnetin e mirë për të sjellë shpresë për të gjitha familjet e dëmtuara.