Kreu i opozitës Lulim Basha ka përkujtuar rrëzimin e bustit të ish-diktatorit Enver Hoxha, më 20 shkurt 1991. Në një postim në Facebook, Basha shkruan se edhe sot pas 28 vitesh ndodhemi në një sfidë të ngjashme.

"Ndonëse nuk kemi shtatore për të rrëzuar, çdo ditë për ne është 20 shkurt, derisa të shembim sistemin që e mban Shqipërinë peng të krimit dhe korrupsionit duke varfëruar dhe shtypur përditë shqiptarët", shkruan ndër të tjera Basha.

POSTIMI I PLOTË

Sot përkujtojmë 20 shkurtin 1991, ditën kur shqiptarët u bashkuan dhe shembën jo thjesht një statujë, por simbolin e diktaturës më të egër të Europës, të etur për Liri dhe Demokraci, me ëndrrën më të madhe “Shqipëria si gjithë Europa”!

28 vite më pas, jemi përballë një sfide të ngjashme. Një regjim antidemokratik, oligarkik, i ardhur në pushtet nga blerja e votave përmes krimit të organizuar, po zhbën ëndrrën e shqiptarëve për Shqipërinë si gjithë Europa.

Ndonëse nuk kemi shtatore për të rrëzuar, çdo ditë për ne është 20 shkurt, derisa të shembim sistemin që e mban Shqipërinë peng të krimit dhe korrupsionit duke varfëruar dhe shtypur përditë shqiptarët. Qëllimi ynë është t’i japim atyre një qeveri të njerëzve, për njerëzit dhe nga njerëzit. Vetëm kështu do ecim të sigurt drejt Europës.