Zhvillimi i Alpeve në Veri të vendit duket se ka qenë një ndër çështjet e fundit të firmosura nga ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, në një dokument që bën edhe Vlerësimin Strategjik Mjedisor për këtë zonë. Në këtë dokument “porositë” i liheshin ish-Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes por që tashmë për zbatim i mbeten pasardhësit të Kokës, Blendi Klosit, i cili përveç të tjerave, ka edhe Turizmin.

Në dokumentin e firmosur në datë 7 shtator 2017 renditen të paktën 22 pika, të cilat vlerësohen si masa të mundshme që mund të meren për të ulur impaktin negative mjedisor gjatë zhvillimit të Planit Sektorial të Turizmit në zonën e Alpeve.

E para lidhet me hartimin e një Plani Monitorimi Mjedisor brenda 6 muajve për të mbledhur të dhëna mbi ndikimin konkret dhe pasojat në mjedis gjatë zbatimit.

Përveç aplikimit të disa modeleve të monitorimit në dokumentin e Kokës kërkohet që të kishte më shumë vëmendje për projektet e impianteve të pastrimit të ujit si dhe infrastrukturë afatgjatë në kanalizime.

Mes të tjerave, zhvillimi duket të shmangë pjesën e vegjetacionit natyral duke u përqendruar në ato zona ku impakti është më i vogël.

Menaxhimi dhe trajtimi i mbetjeve është një tjetër aspekt që ka nxjerrë në pah vlerësimi mjedisor ku rekomandon gjetjen e zgjidhjeve sa më efikase por edhe përfshirjen e 3R (riciklim, ripërdorim, reduktim).

Para fillimit të zbatimit të projekteve duhet të zgjidhet edhe çështja e administrimit të volumit të inerteve që do të gjenerohet nga operacionet ndërtimore.

Plani Kombëtar Sektorial i Turizmit per Alpet e Shqipërisë është një nga dokumentet më të rëndësishme që është diskutuar për zhvillimin e një prej zonave që po merr vëmendje gjithnjë e më të madhe nga të huajt.

Ky dokument ka qenë në konsultim gjatë këtyre muajve me grupe të ndryshme interesi dhe duket se zbatimi i tij do të jetë tashmë nën Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit që drejton ministri i “Rama 2” Blendi Klosi.

/Monitor/