Pasi kryeministri Edi Rama njoftoi se këtë të shtunë do të shpallet lista me 61 kandidatët për bashkitë e vendit 5 deputetë të maxhorancës kanë vendosur të lënë Kuvendin për të garuar.

Bëhet fjalë për deputetët Pjerin Ndreu, Flamur Golemi, Ilir Xhakolli, Rakip Suli dhe Nuri Belbaj, të cilët do të lënë Kuvendin për të garuar për pushtetin lokal.

Mirëpo për të hyrë në garën e kryebashkiakëve, 5 deputetët e Partisë Socialiste do të duhet të dorëzojnë mandatet e tyre. Rrjedhimisht vendet vakante do të zëvendësohen me 5 emra të rinj nga listat shumëemërore të PS në zgjedhjet e 25 qershorit 2017.

Sipas listës për qarkun e Lezhës, Pjerin Ndreu pasohet në radhë nga Adriana Jaku, e cila renditet pas Gjetan Gjetanit, tashmë të përjashtuar nga Grupi Parlamentar i PS-së.

Aktualisht Jaku mban postin e zëvendësministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Në listën e qarkut të Lezhës, Flamur Golemi pasohet nga Artemis Dralo. Dralo aktualisht është zv.ministre për Europën dhe punët e Jashtme.

Ndërsa sipas listës së Pogradecit Xhakolli do të pasohet nga Ardit Konomi. Ky i fundit është drejtor i shërbimit spitalor në Korçë.

Sipas listës së Elbasanit, Nuri Belba, i cili do të garojë për bashkinë Përrenjas, do të pasohet nga Florenc Spaho. Spaho është anëtar i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Ai gjithashtu mban postin e nënsekretarit organizativ për Elbasanin.

Nga ana tjetër Eljo Hysko, kryetari i FRESSH, është ai që pason emrin e Rakip Sulit, deputet i PS-së në Tiranë.