Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e zhvilluar pas marrjes së çmimit në Barcelonë për sheshin ‘Skëndërbej’ kryeministri Edi Rama është ndalur sërish tek çështja e 600 mijë emigrantëve që mendohet se do të vijnë në Shqipëri.

Diçka të tillë, Rama e konsideron të rremë, ndësa ironizon se ky ka qenë një nga mijëra lajmet e rreme që e bën Shqipërinë djep të fake news-t përpara se fake news të shfaqej si epidemi botërore.

"Ishte një frazë e përsëritur shumë gjatë nga kundërshtarët e kësaj ndërmarrjeje transformuese, sipas të cilëve projekti ishte një projekt kriminal i bazuar tek ethet e një fitimi marramendës për shkak se sheshi nuk do të ishte asgjë tjetër vetëm se një zonë aktivitetesh ekonomike të atyre që do të përfitonin nga pushteti për të ndërtuar në shesh në pazar. Ka qenë një nga mijëra lajmet e rreme që e bën Shqipërinë djep të fake news-t përpara se fake news të shfaqej si epidemi botërore. Ka qenë një lajm i rremë siç është sot lajmi i rremë për një kamp refugjatësh, që do mbledhë refugjatë nga e gjithë bota këtu në Shqipëri, apo të tjera lajme të rreme që përhapen dita ditës. Është një betejë shumë e vështirë me lajmet e rreme, por koha i vë në vend të gjitha dhe vuri në vend drejtësinë e vizionit, idesë, e gjithë projektit të sheshit Skënderbej, që patjetër është kthyer në faqen e bardhë të kryeqytetit tonë".