Kryeministri Edi Rama, Presidenti Ilir Meta, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, kreu i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj dhe ministra të qeverisë e zyrtarë të lartë kanë bërë homazhe sot pranë “Varrezave të Dëshmorëve” në kuadër të 76-vjetorit të çlirimit.

Krerët e shtetit, me radhë njëri-pas tjetrit kanë vendosur kurora me lule dhe janë përkulur para monumentit “Nënë Shqipëri”.

Presidenti dhe qeveria kanë lënë pas ndasitë politike dhe sot janë parë pranë njëri-tjetrit. Ndërkohë në ceremoni ishte e pranishme dhe ministrja Elisa Spiropali si dhe ministrja Olta Xhaçka.

Një ditë më parë homazhe pranë monumentit “Nëna Shqipëri” bëri dhe Lulzim Basha, i cili u shfaq pa asnjë shoqërues, duke respektuar masat anti-COVID.

Sot Shqipëria feston 76-vjetorin e Çlirimit dhe kujton dëshmorët e rënë për lirinë e atdheut.