Kryetarja e Bashkisë Shkodër në detyrë, Voltana Ademi pas bisedës telefonike që ka zhvilluar me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu lidhur me situatën e pandemisë së koronavirusit në Shkodër, i ka dërguar asaj një letër ku i kërkon informacion se sa qytetarë shkodranë kanë telefonuar 127 Urgjencën Kombëtare për periudhën nga 1 janar 2020 deri në ditët e sotme.

Ademi kërkon të dijë se sa nga këto persona janë orientuar të qëndrojnë në shtëpi dhe sa prej tyre u është bërë testi.

Letra e plotë:

Në kuadër të bashkëpunimit për përballimin e situatës së shkaktuar nga pandemia COVID – 19, si kryetare e Bashkisë së Shkodrës, përfaqësuese e komunitetit, kam përcjellë problematikat që më janë referuar dhe që shqetësojnë qytetarët e Shkodrës. Duke vlerësuar të domosdoshme marrjen e masave për përballimin e pasojave të pandemisë, transparenca dhe ndarja e informacionit me qytetarët është e rëndësishme.

I kam kërkuar Znj. Ministre informacionin mbi:

• Numrin e personave që kanë telefonuar Urgjencën Kombëtare në numrin 127 që nga data 1 janar 2020, banues në Bashkinë Shkodër;

• Numrin e personave që kanë telefonuar numrin 127, dhe që janë orientuar të qëndrojnë në shtëpi, me shenja të dyshuara të pandemisë;

• Numrin e personave që kanë telefonuar numrin 127, dhe që janë orientuar sipas protokollit shëndetësor për analiza paraprake pas shqetësime që kanë patur, si të dyshuar me COVID-19:
a) Drejt Spitalit Rajonal në Shkodër
b) Drejt Spitalit Infektiv në Tiranë

• Numrin e personave që kanë telefonuar numrin 127, që kanë kryer testimin e plotë për COVID – 19, në territorin e Bashkisë Shkodër;

• Numrin e testeve në dispozicion të autoriteteve shëndetësore të Bashkisë Shkodër në datën 6 Prill, për rastet e dyshuara me COVID – 19;

• Numrin e testeve që priten të vijnë pranë autoriteteve shëndetësore në Shkodër, në ditët në vijim, për realizimin e testimit të personave që dyshohen të jenë prekur nga COVID – 19.