Agron Duka do të renditet në një vend fitues në listën e Partisë Demokratike për qarkun e Durrësit. Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste konfirmon për “DurrësLajm” se marrëveshja e arritur sot mes tij dhe liderit të PD Lulzim Basha parashikon përfshirjen e tij në listën fituese të qarkut të Durrësit, ndërkohë që partia e tij do të ketë kandidatë edhe në listat e 11 qarqeve të tjera të vendit, por jo në pjesën fituese.

4 vite më parë, në zgjedhjet e vitit 2017, Agron Duka u rendit i 5-ti në listën e Durrësit, por nuk arriti të fitonte një mandat deputeti për shkak se koalicioni i PD-së me partit të vogla mori vetëm 4 deputetë, rezultati më i dobët historik i regjistruar ndonjëherë nga PD. Mbetet të zbulohet se cili do të konsiderohet nga Duka dhe PD vend i sigurt në listën e qarkut Durrës.

Menjëherë pas numërimit të votave dhe zhgënjimit që pësoi nga rezultati përfundimtar, Duka ngriti akuza ndaj aleatëve të tij në zgjedhje, konkretisht PD-së.

“Unë bëja fushatë vetëm me stafin e Partisë Agrare Ambientaliste, PD-ja ishte inekzistente. Do të kishte qenë më mirë të garoja me siglën e PAA-së, po ta kisha ditur se PD ishte kaq e paorganizuar”,– pati deklaruar Duka në qershor 2017.

Marrëveshja e sotme me Bashën, duket se i garanton kreut të PAA-së një mandat deputeti në parlamentin e ardhshëm. Agron Duka gëzon një mbështetje të gjerë në qarkun e Durrësit, në të cilin ka fituar dy mandate deputeti, njëherë nën logon e PS-së dhe njëherë tjetër nën logon e Partisë Republikane.