Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, me anë të një postimi në rrjetet sociale përshëndet zgjedhjen e Olsian Çelës si kryeprokuror të vendit.

Agron Duka shprehet se duhet që organi i akuzës të adresojë sa më shpejt shpërdorimet e detyrës që fatkeqësia natyrore nxori në pah.

Postimi i Agron Dukës:

Përshëndes zgjedhjen e z. Olsian Çela si Prokuror i Përgjithshëm me mandat të rregullt. Është e rëndësishme që vendi t’i kthehet normalitetit dhe të gjitha institucionet e reja të drejtësisë të ngrihen sa më parë dhe në përputhje me Kushtetutën. Pa ndarje pushtetesh nuk mund të ketë demokraci. I uroj punë të mbarë z. Çela me shpresën që pandëshkueshmëria të marrë fund në vendin tonë.

Institucionet e reja të akuzës kanë përpara një punë shumë të madhe, e cila duhet të adresojë sa më parë edhe shpërdorimet e detyrës që fatkeqësia natyrore nxori në pah. Tërmeti nuk mund të shërbejë si një amnisti, rruga e rindërtimit duhet të kalojë nga drejtësia e re.