Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste ka reaguar me një status në Facebook pas provave filmike që Oerd Bylykbashi dhe Ivi Kaso publikuan nga selia e PD-së lidhur me procesin zgjedhor të 30 qershorit.

“E dinim që 30 qershori do të mbetej një ditë e mbuluar nga turpi; megjithatë pamjet e fletave të votimit që mbushen në tavolinën e numërimit ngjallin neveri dhe ilustrojnë dekadencën morale të kleptomanëve që vjedhin edhe kur nuk iu nevojitet”, shkruan Duka.

Për ish-deputetin e Durrësit, “këto pamje nuk mund të përkojnë me ato të një vendi në pritje të çeljes së negociatave me BE-në, prandaj kriza politike do të marrë fund dhe negociatat do të hapen vetëm kur këto krime elektorale, bashkë me ato të dosjeve 339 dhe 184, do të ndëshkohen.”

Duka kërkon nga organet ligjzbatuese ndëshkimin e të gjithë këtyre shkeljeve të ligjit dhe dërgimin para përgjegjësisë penale të personave përgjegjës, pasi vetëm kështu garantohet rruga evropiane e Shqipërisë.

“Prokuroria dhe institucionet ligjzbatuese duhet të veprojnë sa më parë, në këtë mënyrë do të sigurohet zgjidhja e krizës politike dhe vijimi i rrugëtimit europian të Shqipërisë.”– shkruan Duka.