Një lajm tronditës ka qarkulluar në mediat turke, të cilat shkruajnë se administratori i klubit sportiv Flamurtari Sinan Idrizi i cili është partner i kompanisë “Air Albania”, dyshohet se ka mashtruar biznesmenin Adnan Polat, i cili në të kaluarën ka qenë edhe president i Galatasarait.

Media turke “Karsmanset.com”, raporton se Prokuroria ka kërkuar dënimin me 10 vjet burgim për Idrizin nën akuzën “mashtrim i kualifikuar”.

Në lidhje me këtë lajm, ka reaguar edhe ish deputeti i Vlorës Agron Shehaj. Pikërisht Shehaj, duke iu referuar asaj që shkruajnë mediat në Turqi, thotë se Sinan Idrizi është një mashtrues dhe një riciklues i parave të pista.

Postimi i Agron Shehajt:

Sinan Idrizi është një mashtrues dhe ndoshta riciklues parash të pista. Këtë tashmë e ka vërtetuar prokuroria turke e cila sapo ka kërkuar dënimin e tij me 10 vjet burg për mashtrim miliona eurosh. Biznesmeni turk, që filloi hetimin duke kallzuar Idrizin, ka përfshirë në skemë edhe kryeministrin Edi Rama.

Tani, duhet që Prokuroria shqiptare të hetojë të gjitha veprimet në lidhje me përfshirjen e Edi Ramës në skemën mashtruese për shitjen e GFI. Prokuroria duhet gjithashtu të hetojë se si u bë Sinani, pa kontribuar asnjë qindarkë, partner i shtetit në Air Albania. A është ai fasada pas aksionerit e pronarit të vërtetë, Edi Ramës në Air Albania? A po riciklon ai paratë e korrupsionit qeveritar apo të krimit të organizuar përmes Air Albania?

Këto pyetje duhet të marrin përgjigje menjëherë!