Gjatë deklaratës për shtyp, ministri i Jashtën në detyrë, Gent Cakaj foli për rastin e Alvin Berishës, 11-vjeçarit që u dërgua në kampet e ISIS në Siri nga e ëma, Valbona dhe ka mbetur atje, ndërkohë që i ati, Afrimi kërkon ndihmë për ta marrë.

Cakaj tha se janë të angazhuar maksimalisht, ndërsa kërkoi mirëkuptim pasi kjo është një çështje shumë delikate.

"Ne jemi të angazhuar maksimalisht dhe po punojmë me gjithë partnerët tanë, por kini parasysh se është një çështje shumë e ndjeshme dhe unë nuk mund të komunikojë për këtë rast. Kërkoj mirëkuptim dhe bëj thirrje që ky rast të mos keqpërdoret se ky rast shkon shumë përtej diplomacisë, se sikur t'i takonte diplomacisë të gjitha shtetet do t'i kishin kthyer njerëzit e tyre nga atje. Prandaj, të kemi mirëkuptim. Duhet të zgjidhet me koordinim të ngushtë me partnerët strategjikë. Unë duhet të ruaj maksimalisht konfidencialitetin përsa i përket këtij rasti", theksoi ministri.