Ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë, Luigi Soreca ka bërë sërish apel për një Ministri të Brendshme funksionale, duke iu referuar ngërçit Presidencë-Qeveri për Sandër Lleshin.

Në një intervistë për rrjetin “EWB”, Soreca lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një nga detyrat kyçe të Shqipërisë për hapjen e negociatave me BE-në.

Ambasadori i Bashkimit Evropian theksoi gjithashtu se gjatë javëve të fundit, Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme kanë realizuar disa operacione kundër bandave kriminale. Por që kjo luftë të vazhdojë, tha Soreca, duhet një Ministri e Brendshme tërësisht funksionale.

“Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një përparësi kryesore për Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE. Në javët dhe muajt e fundit, ministri i Brendshëm dhe Policia e Shtetit kanë realizuar disa goditje të rëndësishme kundër krimit të organizuar. Ne e mirëpresim këtë, kjo është ajo që do BE dhe vendet anëtare dhe kjo duhet të vazhdojë. Prandaj një Ministri e Brendshme tërësisht funksionale që të vazhdojë të luftojë krimin e organizuar, është thelbësore që Shqipëria të vazhdojë rrugën drejt BE-së”, tha ambasadori i BE-së Luigi Soreca.

Mes Kryeministrit dhe Presidentit ka një ngërç për mosdekretimin nga ana e Metës të Sandër Lleshit si ministër të Brendshëm. Pas refuzimit nga Presidenti, Kryeministri Rama e emëroi me VKM Sandër Lleshin zv/ministër të Brendshëm me kompetencat e plota të ministrit. Mirëpo, dy ditë më parë Presidenti u shpreh i hapur për të dhënë arsyet e mosdekretimit, kurse Kryeministri i dërgoi sërish për dekretim Sandër Lleshin.