Analizë / Polemikë Uashington-Moskë në Tiranë për Kievin

17/05/2014 - 18:34

 

·        Rreth dy mesazheve të ambasadorëve, rus Abramov dhe amerikan Arvizu

 

Nga Thanas Mustaqi

DURRËS, 17 maj 2014 –  “Sherr” rus-amerikan për Ukrainën në Tiranë, kështu ambasadorët z. Abramov dhe z. Arvizu, “gërricen” në distancë jo thjesht për Kievin, por problemi shtrohet në një sfond gjeopolitik, sikurse “zbulon” më 9 maj 2014 njeriu i Moskës:“përpjekje për t’i imponuar sërish Evropës stereotipat e ndarjes në blloqe dhe të botës njëpolare”, kjo “në shërbim të llogarive dhe përfitimeve gjeopolitike”.

GJEOPOLITIKA

17 maj 2014:

“Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të vendosë për t’i dhënë popullit ukrainas që të vendosë vetë për të ardhmen e tij dhe t’i japë atij mundësinë e të marrit frymë nëpërmjet një procesi demokratik”, thotë në një videomesazh në FB të ambasadës amerikane vetë kreu i saj z. Alexander Arvizu.

Retro/ 9 maj 2014:

“Janë të patolerueshme orvatjet për rilindjen e neonazizmit në kushte të reja, vënien e ithtarëve të tij në shërbim të llogarive dhe përfitimeve gjeopolitike... Janë të destinuara të dështojnë përpjekjet për t’i imponuar sërish Evropës stereotipat e ndarjes në blloqe dhe të botës njëpolare, aq më tepër duke u mbështetur në forcat neonaziste, të cilat organizuan grusht shteti në Ukrainë më 22 shkurt... Përsëri gjenden nga ata aventurierë, ata që bekojnë veprimet agresive të organizatave neonaziste, ultranacionaliste... sinjal ky që u drejtohet atyre... të cilët, për hir të interesave vetjakë, me cinizmin e mbuluar me gjoja synime të mira dhe demagogji pseudodemokratike, po e fusin popullsinë shumëmilionëshe dhe shumetnike të Ukrainës në ekstremizëm, në rrumpallë juridike dhe krizë të thellë identiteti kombëtar”, u drejtohet shqiptarëve në një koktejl në ambasadën e Federatës Ruse në Tiranë, kreu i saj z. Leonid Abramov (sipas përkthimit të “Dyrrah”-ut).

“LAJM” NË TITULL

“Dyrrah”-u ka zbuluar në sajtin e ambasadës ruse në Shqipëri se më 9 maj 2014, kur kreu i Kremlinit, z. Vladimir Putin po vizitonte Krimenë e saposhkëputur nga Ukraina, në Tiranë z. Leonid Abramov kishte organizuar një koktej (sipas versionit rus, por që nuk përmendet në atë shqip) “për nder të 9 majit”, kurse në shqip: “me rastin e Ditës së Fitores”.

Bie në sy se ky fakt është përdorur vetëm në kokën e lajmit: “Fjala e ambasadorit të Rusisë në Shqipëri z. L. Abramov në koktejin për nder të 9 majit në ambasadë” ose në shqip: “Fjalimi i Ambasadorit të Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë z. L. Abramov me rastin e Ditës së Fitores”.

Por nuk ka as lajm, as foto, as medie, as cilët ishin pjesëmarrësit.

Me sa kuptohet, aty kishte “uvazhayemyye albanskiye veterany – veteranë të nderuar shqiptarë” dhe “dorogiye gosti – mysafirë të shtrenjtë” sipas adresimit të z. Abramov.

ZGJERIM DHE COPËTIM

“Dyrrah”-ut i ka tërhequr vëmendjen fakti se versioni shqip, diku-diku tejet i varfër, ku mungonte “ë”-ja, me gabime shtypi dhe drejtshkrimore, bënte interpretim, pra, zgjerim të terminologjisë së përdorur nga z. Abramov.

Kështu togfjalëshin rusisht: “stereotipy blokovogovo myshleniya” versioni shqip e kishte interpretuar: “stereotipat e mendimit në kuadër të blloqeve politiko-ushtarake”, kur mund të përkthehej “stereotipat e ndarjes në blloqe”.

Tonalitete të tilla gjen disa në “origjinalin” shqip.

Po ashtu, për të nënvizuar idetë, paragrafë të tërë të fjalës së z. Abramov ishin “copëtuar” në kryeradhë të shumta në versionin shqip, “copëzim” që “Dyrrah”-u e ka respektuar në ripërkthimin e tij.

SHBA-ja DHE BE-JA “SHKËLQEJNË” NË MUNGESË

Pa i përmendur me emra Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, shefi i përfaqësisë ruse në Shqipëri, i ka kthyer reston në më se gjysmën e fjalës, Perëndimit për akuzat ndaj z. Putin si neonazist, Hitler, po me gjuhë antinaziste: “... edhe në të ardhmen me përpjekje të përbashkëta duhet t’u kundërvihemi lloj-lloj orvatjeve për të përligjur krimet e nazistëve... janë të patolerueshme orvatjet për rilindjen e neonazizmit në kushte të reja, vënien e ithtarëve të tij në shërbim të llogarive dhe përfitimeve gjeopolitike...  Janë të destinuara të dështojnë përpjekjet për t’i imponuar sërish Evropës stereotipat e ndarjes në blloqe dhe të botës njëpolare, aq më tepër duke u mbështetur në forcat neonaziste, të cilat organizuan grusht shteti në Ukrainë më 22 shkurt... përsëri gjenden nga ata aventurierë, ata që bekojnë veprimet agresive të organizatave neonaziste, ultranacionaliste... sinjal që u drejtohet atyre, që kanë harruar makthet e fashizmit, ose që gjoja i kanë harruar, të cilët, për hir të interesave vetjakë, me cinizmin e mbuluar me gjoja synime të mira dhe demagogji pseudodemokratike, po e fusin popullsinë shumëmilionëshe dhe shumetnike të Ukrainës në ekstremizëm, në rrumpallë [bespredel] juridike dhe krizë të thellë identiteti kombëtar. Racizmit, ksenofobisë, intolerancës etnike, glorifikimit të nazistëve dhe larove të tyre... u duhet dhënë fund sa më shpejt me përpjekjet solidare të popullit ukrainas dhe komunitetit ndërkombëtar. Alternativa është e mbarsur me pasoja shkatërrimtare për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin demokratik të Evropës... historia e fashizmit gjerman në Evropë nisi me orgjitë e detashmenteve Sturmabteilung dhe me gjenocidin ndaj popullsisë jogjermane. E njëjta gjë tani po ndodh në Ukrainë ndaj “joukrainasve” dhe mbi te gjiths, rusëve”.

KU DINË SHQIPTARËT Ç’ËSHTË BANDERA

Në “hartimin’ e tij, z. Abramov përmend edhe “banderovskiye prispeshniki –larot e Bandera-s”.

Me sa duket, pjesë të fjalimit mund të jenë kopjuar nga materiale standarde të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, pasi pakkush e di në Shqipëri se cili është Stepan Bandera (1909-1959), politikani ukrainas dhe një nga udhëheqësit e lëvizjes nacionaliste ukrainase në Ukrainën Perëndimore për pavarësinë e Ukrainës. Ishte përgjegjës për shpalljen e një shteti të pavarur në Lviv të Ukrainës më 30 qershor, 1941, tetë ditë pas sulmit të Gjermanisë kundër Bashkimit Sovjetik. Bandera u vra në vitin 1959 nga KGB-ja. Më 22 janar 2010, ish-Presidenti i Ukrainës Viktor Jushçenko i dha Bandera-s titullin Hero i Ukrainës (pas vdekjes)​​. Dekorimi u dënua nga Parlamenti Evropian, organizatat ruse, polake dhe hebre, si dhe u shpall i paligjshëm nga qeveria pasardhëse ukrainase dhe nga një vendim gjykate në prill 2010. Në janar 2011 dekorata u anulua zyrtarisht.

KUNDËRMESAZHET

Moska përpiqet të rikthejë në Shqipëri nostalgjinë për ish-Bashkimin sovjetik, duke bërë thirrje për kompaktësi me Rusinë, me antifashizmin.

Trysnia ndaj qeverisë shqiptare e z. Abramov është e kamufluar nëpërmjet fjalisë në mënyrë kushtore: “Do të përshëndesnim synimin e qeverisë aktuale të Shqipërisë për të bërë rishqyrtimin objektiv të së kaluarës jo të largët të vendit të vet dhe vënien në vend  të rëndësisë së luftës nacionalçlirimtare kundër Gjermanisë hitleriane. Kjo gjë mund të ishte pretekst i mbarë për të njohur e çmuar ashtu siç duhet aleatin kryesor në këtë luftë – Rusinë si pasardhëse të BRSS-së”.

Moska “urdhëron” të pranishmit në koktej: “Është e domosdoshme të bëjmë gjithçka është e mundur” për të nxjerrë mësime nga Lufta II Botërore, “në emër të një jete të sigurt, të qetë dhe në paqe, të njihnim përgjegjësinë e përbashkët dhe të kontribuonim në zhvillimin e traditave të kompaktësisë dhe patriotizmit të vërtetë”.

Kurse Shtëpia e Bardhë, nëpërmjet z. Arvizu i flet Tiranës për demokraci: “Kam qenë dëshmitar i përkushtimit të fortë dhe të palëkundur që shqiptarët kanë për demokracinë. Prandaj dhe unë besoj se kjo çështje është e rëndësishme për të gjithë ju.  Ju e dini vlerën e demokracisë, sepse ju keni jetuar shumë vjet në mungesën e saj. Ju e dini çmimin e lirisë, sepse ju keni luftuar për të.  25 maji është një mundësi e vërtetë për popullin e Ukrainës për të vendosur për të ardhmen e tyre pa ndërhyrje të jashtme dhe për të shprehur vullnetin e tyre nëpërmjet fletëve të votimit, jo nëpërmjet presionit të armëve”.

DOKUMENTET

“Dyrrah”-u po boton të plota dy mesazhet që i drejtohen sidomos politikës shqiptare, shumicës qeverisëse dhe pakicës.

Opozita ka paralajmëruar se më 23 maj, dy ditë para zgjedhjeve në Ukrainë do të demonstrojë para Kryeministrisë kundër drogës, pasi ka deklaruar më parë se do të përsërisë në Shqipëri skenarin ukrainas.

PD-ja kur ishte në pushtet kishte marrëdhënie të mira me Rusinë, kjo e fundit ka informuar dhe problemet e drogës, për shkak të një marrëveshjeje midis zz. Nishani dhe Berisha dhe funksionarit kryesor të z. Putin, gjeneral Viktor Ivanov, në prani të ambasadorit Abramov.

Kurse Uashingtoni nuk do destabilitet në Shqipëri para 25 majit 2014: “... ne kërkojmë nga ju, populli shqiptar që të bashkoheni me ne dhe aleatët tanë ndërkombëtarë. Të bashkoheni me ne në mbështetje të zgjedhjeve të 25 majit në Ukrainë... Një zë i përbashkët SHBA, Shqipëria dhe aleatët tanë.”  

1.

Fjala e ambasadorit të Rusisë në Shqipëri z. L. Abramov në koktejin për nder të 9 majit në ambasadë

Tiranë, më 9 maj 2014

Të nderuar veteranë shqiptarë, të dashur miq!

Ju përshëndes dhe Gëzuar Ditën e Fitores mbi nazizmin gjerman!

Në Rusi dhe Shqipëri, e cila ka dhënë kontributin e saj për Fitoren, e nderojnë këtë festë të madhe, që transmetohet nga brezi në brez.

Ne mbushemi me krenari për etërit dhe gjyshërit tanë që i dhanë dermën nazizmit, për popujt tanë që ngadhënjyen në betejën e pashoqe në histori.

Te dashur veteranë, forca e shpirtit dhe besnikërisë ndaj atdheut ishin ndihmë në kapërcimin e rrugës së vështirë e të gjatë drejt Fitores. Ju ndryshuat kursin e historisë. Ju u dhuruat jetën dhe lirinë brezave të ardhshëm, të gjithëve ne.

Në kujtim të atyre që nuk u kthyen nga fushat e betejave, edhe në të ardhmen me përpjekje të përbashkëta duhet t’u kundërvihemi lloj-lloj orvatjeve për të përligjur krimet e nazistëve.

Për më tepër, në vendet, që pësuan humbje të mëdha në luftë për çlirimin e Evropës, janë të patolerueshme orvatjet për rilindjen e neonazizmit në kushte të reja, vënien e ithtarëve të tij në shërbim të llogarive dhe përfitimeve gjeopolitike.

Plot pas një viti Rusia do të festojë 70-vjetorin e Fitores se Madhe. Qarqet përparimtare në vendet e Evropës dhe të koalicionit antihitlerian do të festojnë këtë ditë të Çlirimit së bashku me ne.

Të gjithë duhet të sjellim në kujtesë faktin se pikërisht fitorja mbi fashizmin 69 vjet më parë bëri të mundur fillimin e ndërtimit të një Evrope paqësore, demokratike.

Janë të destinuara të dështojnë përpjekjet për t’i imponuar sërish Evropës stereotipat e ndarjes në blloqe dhe të botës njëpolare, aq më tepër duke u mbështetur në forcat neonaziste, të cilat organizuan grusht shteti në Ukrainë më 22 shkurt.

Fitorja mbi fashizmin është shembull i madh dhe mësim i madh për të gjithë popujt.

Mësimi është aktual edhe sot, teksa përsëri gjenden nga ata aventurierë, ata që bekojnë veprimet agresive të organizatave neonaziste, ultranacionaliste si “Sektori i djathtë” në Ukrainë.

Këto ditë në Rusi është botuar “Libri i bardhë i Ukrainës”, sinjal ky që u drejtohet atyre, që kanë harruar makthet e fashizmit, ose që gjoja i kanë harruar, [sinjal ky që u drejtohet atyre] të cilët, për hir të interesave vetjakë, me cinizmin e mbuluar me gjoja synime të mira dhe me demagogji pseudodemokratike, po e fusin popullsinë shumëmilionëshe dhe shumetnike të Ukrainës në ekstremizëm, në rrumpallë [bespredel] juridike dhe krizë të thellë identiteti kombëtar.

Racizmit, ksenofobisë, intolerancës etnike, glorifikimit të nazistëve dhe larove të tyre banderaistë [Stepan Bandera (1909-1959) politikan ukrainas dhe një nga udhëheqësit e lëvizjes nacionaliste ukrainase – “Dyrrah”-u], u duhet dhënë fund sa më shpejt me përpjekjet solidare të popullit ukrainas dhe komunitetit ndërkombëtar.

Alternativa është e mbarsur me pasoja shkatërrimtare për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin demokratik të Evropës. Duhet të kujtojmë se historia e fashizmit gjerman në Evropë nisi me orgjitë e detashmenteve Sturmabteilung [repartet paraushtarake SA të nazistëve – “Dyrrah”-u ] dhe me gjenocidin ndaj popullsisë jogjermane. E njëjta gjë tani po ndodh në Ukrainë ndaj “joukrainasve” dhe para së gjithash, ndaj rusëve.

Do të kujtojmë gjithmonë kontributin e popullit shqiptar në kauzën e përbashkët në luftën kundër fashizmit, ku u flijuan 28 mijë bijtë dhe bijat e vet më të mirë. Partizanët shqiptarë nuk kishin dyshime se kush ishte aleati i tyre kryesor. Ky ishte vendi ynë. Gjatë thuajse 20 vjetësh pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore midis dy vendeve tona ekzistonte një bashkëpunim i ngushtë me dobi të ndërsjellë, kurse ftohja e mëtejshme e marrëdhënieve ndodhi për shkak të divergjencave voluntariste të liderëve, kurrsesi të popujve.

Do të përshëndesnim synimin e qeverisë aktuale të Shqipërisë për të bërë rishqyrtimin objektiv të së kaluarës jo të largët të vendit të vet dhe vënien në vend  të rëndësisë së luftës nacionalçlirimtare kundër Gjermanisë hitleriane. Kjo gjë mund të ishte pretekst i mbarë për të njohur e çmuar ashtu siç duhet aleatin kryesor në këtë luftë – Rusinë si pasardhëse të BRSS-së.

9 maji në Shqipëri, të nderuar veteranë, është para së gjithash, dita Juaj. Jemi të gëzuar sinqerisht që gjendemi pranë Jush.

Më lejoni edhe një herë t’Ju uroj përzemërsisht, t’i bëj homazhe asaj force të padukshme të shpirtit, me të cilën luftuat, duruat humbjet dhe sprovat, dhe nuk u thyet, nuk u lëkundët, nuk u zmbrapsët.

Është e domosdoshme të bëjmë gjithçka që është e mundur, në mënyrë që në Rusi, dhe në Shqipëri të ruanim kujtimin për trimëritë e të gjithë heronjve të luftës, të nxirrnim mësime prej saj në emër të një jete të sigurt, të qetë dhe në paqe, të njihnim përgjegjësinë e përbashkët dhe të kontribuonim në zhvillimin e traditave të kompaktësisë dhe patriotizmit të vërtetë.

Gëzuar festën, miq të dashur!

Gëzuar Ditën e Fitores!

2. Videomesazhi i Ambasadorit të SHBA në Republikën e Shqipërisë Alexander Arvizu:

Tiranë, 17 maj 2014

Miqtë e mi jam këtu për t’ju kërkuar që të bashkoheni me mua dhe të gjithë Ambasadën Amerikane, si dhe me SHBA-të në mbështetje të demokracisë. Unë ju kërkoj që të bashkoheni me ne për pavarësinë dhe sovranitetin e Ukrainës, për të nënvizuar rëndësinë jetike për zgjedhje presidenciale të lira dhe të drejta në Ukrainë, më 25 maj.

Gjatë qëndrimit tim këtu në Shqipëri unë kam qenë dëshmitar i përkushtimit të fortë dhe të palëkundur që shqiptarët kanë për demokracinë. Prandaj dhe unë besoj se kjo çështje është e rëndësishme për të gjithë ju.

Ju e dini vlerën e demokracisë, sepse ju keni jetuar shumë vjet në mungesën e saj. Ju e dini çmimin e lirisë, sepse ju keni luftuar për të.

25 maji është një mundësi e vërtetë për popullin e Ukrainës për të vendosur për të ardhmen e tyre pa ndërhyrje të jashtme dhe për të shprehur vullnetin e tyre nëpërmjet fletëve të votimit, jo nëpërmjet presionit të armëve.

Prandaj dhe mesazhi ynë është shumë i thjeshtë: Lëreni Ukrainën të votojë! Lëreni popullin e Ukrainës të vendosë vetë për të ardhmen e tij dhe lëreni atë ta bëjë këtë nëpërmjet zgjedhjeve të drejta, të hapura dhe të lira për të gjithë.

Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të vendosë për t’i dhënë popullit ukrainas që të vendosë vetë për të ardhmen e tij dhe t’i japë atij mundësinë e të marrit frymë nëpërmjet një procesi demokratik.

Kjo është arsyeja se përse ne kërkojmë nga ju, populli shqiptar që të bashkoheni me ne dhe aleatët tanë ndërkombëtarë. Të bashkoheni me ne në mbështetje të zgjedhjeve të 25 majit në Ukrainë. Të bashkoheni me ne në mbështetje të demokracisë. Një zë i përbashkët SHBA, Shqipëria dhe aleatët tanë. Të bashkuar për Ukrainën. Të bashkuar për demokracinë. Të bashkuar për lirinë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Ish-deputeti Bardh Spahia ka reaguar pas Ministria e Financave ka bllokuar buxhetin për Bashkinë e Shkodrës.

Presidenti Meta pranoi sot Letrat Kredenciale nga Ambasadori i ri i Republikës Federale të Gjermanisë, z.Peter Zingraf, pasuesi i Susanne

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar aplikacionin "Stop informalitetit", i vënë në dispozicion të qytetarëve shqiptarë nga qeveria, në kua

Kryedemokrati Lulzim Basha ka publikuar në Facebook një videomesazh ku sipas tij tregohen vjedhjet që janë bërë nga kryeministri Edi Rama

Ish-deputeti demokrat, Agron Shehaj, ka reaguar pas raportit të Baselit, i cili e rendiste Shqipërinë mes 40 vendeve kryesore të pastrimi

Kryeministri Rama ka publikuar mesditën e sotme një postim të shkurtër të shoqëruar me foto për punimet që po kryhen tek shëtitorja “Taul

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar menjëherë pasi maxhoranca i dha dritën jeshile këshillit të bashkisë Shkodër.

Ashtu siç kishte paralajmëruar, Partia Demokratike ka nisur protestën në qytetin e Shkodrës.

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, shprehet se është në detyrë deri ditën që kryetari i ri i bashkisë do të bëjë betimin.