Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka kthyer përgjigje kreu të komisionit të ligjeve, Ulsi Manja lidhur me dekretin e nxjerrë prej tij për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Në përgjigjen e tij, kreu i shtetit thekson se vendimi është marrë në mbështetje të plotë me dispozitat kushtetuese dhe në mbrojtje të parimeve themelore që burojnë prej saj.

“Ky dekret është botuar në fletoren zyrtare e për pasojë është i njohur dhe i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë përfshi këtu edhe Kuvendin",- thuhet në shkresën që kreu i shtetit  i dërgon kreut të komisionit të ligjeve, përmes sekretares së përgjithshme të institucionit, Ornela Zonja.

“Presidenti i Republikës garanton Kuvendin se është në detyrë dhe i gatshëm që me përgjegjësi të plotë të ndërmarrë të gjitha vendimet e rëndësishme që do të diktojë situata dhe interesi më i mirë i vendit”,– citohet në përgjigjen e Metës për Kuvendin.