Ish-sekretari i Këshillit Bashkiak Durrës, Armand Tragaj, u shkarkua në mbledhjen e fundit të mbajtur në datë 11 tetor, rreth 2 javë, pasi tentativa e parë në mbledhjen urgjente të KB-së dështoi.

Vetëm pak ditë pas dështimit të shkarkimit të tij në mbledhjen e datës 23 shtator, në media doli lajmi se Tragaj kishte pasur një konflikt fizik me kreun e PS-së së Durrësit, Luan Zazën.

Por, duke iu referuar asaj ngjarjeje, Tragaj mohon të ketë pasur konfrontim fizik, por vetëm debat me tone të ashpra.

Tragaj sqaron për DurrësLajm se atë pasdite kishte shkuar të takonte Luan Zazën për të kërkuar mbështetjen e tij dhe të degës lokale për të mos u shkarkuar nga posti i sekretarit të KB-së.

“Nuk ke gjë nga unë, megjithëse unë po e mbaj këtë kosto përsipër si kryetar partie. Nuk jam unë që e kam propozuar, por janë instanca të tjera më tha Zaza”,– thotë Tragaj.

“Deri këtu biseda ka vazhduar me tone të qeta, por debatet u ndezën, kur Zaza më tha se kisha bërë disa shkelje. Atëherë t’i je marrë me punën time i thashë…”,– vijon më tej avokati Tragaj dhe menjëherë pas kësaj pranon se janë ngritur tonet e debatit.

Sipas Tragajt, ngjarja është përdorur politikisht, por në të njëjtën kohë ai mohon që ajo të ketë ndikuar në shkarkimin e tij në datë 11 tetor.  Po sipas ish-sekretarit të KB-së, ngjarja është përdorur nga ish-kryebashkiaku Vangjush Dako, për të cilin Tragaj thotë se kërkon të mbajë nën kontroll Këshillin Bashkiak, megjithëse është larguar nga drejtimi i bashkisë. 

M.B.