Astrit Patozi i ka lënë derën hapur Rudina Hajdari, që kjo e fundit t’i bashkohet partisë së re Bindja Demokratike. Ish nën-kryetari i PD-së, ka treguar se zonjës Hajdari i është lënë kohë për vendimin e saj, përfundimtar.

Unë e kam thënë që kam respekt dhe vlerësim të lartë për zonjë Hajdari jo vetëm që është vajza e mitit të PD-së dhe mikut tim personal, por kam përshëndetur gjestet e saj që më duken të drejta. Jemi takuar bashkë, kemi diskutuar dhe për këtë projekt të ri politik. Ajo është e mirëpritur çdo ditë që nga sot deri kur ta mendojë tek ky projekt sepse nuk është projekti im, por i shumë njerëzve. Është në të drejtën e saj sepse njeriut i duhet lënë koha për të gjetur dhe ai momentin e vet”, tha Patozi në Abc News.

Mirela Milori: Pra keni bërë një ofertë të hapur?

Astrit Patozi: Unë kam bërë ofertë të hapur dhe kam dëgjuar idetë e saj. Ne të dy kemi qenë dakord që Shqipëria ka nevojë për një gjë të re politike, për një shkundje të sistemit, për ndryshimin e sistemit. Ne jemi në një periudhë të errët të demokracisë. Ne donim që në këtë çmenduri politike të ishim një shkëndijë që të thonim që ka edhe një arsye në këtë mes.

Nga ana tjetër pas zyrtarizmit të partisë Bindja Demokratike, Rudina Hajdari për më shumë se 3 orë iu ka dhënë sqarime deputetëve të grupit të saj parlamentar, që u krijua pas largimit të opozitës nga Kuvendi.  Siç mësohet Hajdari i ka garantuar grupit parlamentar se nuk kishte lidhje me një iniciativë të tillë. Madje, nuk kishte biseduar kurrë me Patozin për t’u bashkuar në një sigël.