Deputeti demokrat Ervin Salianji, u paraqit në Gjykatën e Krimeve të Rënda përreth 40 minuta, ku ankimoi vendimin për zgjatjen e hetimeve për çështjen "Babalja" të kërkuar nga prokuroria.

Teksa gjyqtari pritet të japë vendimin të hënën, Salianji në një deklaratë për mediat tha se ka vetëm një merak, zbatueshmërinë e ligjit dhe nxjerrjen para përgjegjësisë të personave që merren me trafik droge.

"Të hënën në orën 10 apo 12 u la marrja e vendimit nga ana e gjyqtarit. Nuk ka asnjë merak nga ana ime, ka vetëm një merak për zbatueshmërinë e ligjit dhe nxjerrjen para përgjegjësisë të personave që merren me trafik droge. Nuk e di çfarë ka kjo çështje që mund të jetë për 9 muaj. Gazetari që denoncon, Jetmir Olldashi është ende në hetim ndërkohë që afatet e hetimit për Saimir Tahirin që akuzohet për trafik droge janë mbyllur."

Deputeti demokrat nuk kurseu akuzat nga Prokurorisë, teksa tha se ndaj tij po bëhet hetim politik.

"Është një prokurori terësisht politike dhe në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës, prokurori që vazhdon çështjen është i njëjti prokuror që nuk ka guxuar të marrë vetë monstrat e zërit të vëllait të ish-Ministrit  Xhafaj por ja ka lënë të gjithë veprimet proceduriale policisë së shtetit në konflikt të plotë interesi. Prokurori tjetër që i është shtuar prokurorisë është një person që ka lidhje familjare të afërta me drejtuesin e Ministrisë së Brendshme sot. Është një hetim terësisht politik, nuk ka arsye për zgjatje të hetimeve.

Po bëhet vetëm për të mbajtur një tymnajë dhe për të mos i dhënë drejtim lidhjes së qeverisë me krimin dhe favorizimit të trafikut të drogës nga ana e qeverisë Rama dhe ish-Ministrit të Brendshëm  të tij. Ne kemi kërkuar proceduralisht thjesht për të mbajtur në dijeni publikun që vazhdon një hetim jo për personin që sot është në burg në Itali por për gazetarin dhe ne që e kemi denoncuar. Qeveria vazhdon të tentojë si në shumë gjyqe të tjera, se nuk është gjyqi i vetëm që kam me qeverinë për denoncime të aferave korruptive apo të lidhjes së saj me krimin. Po njësoj do ti denoncojmë. Për këto arsye kemi marrë një vendimmarrje që na çon te qytetarët. Nesër në orën 10 para parlamentit të gjithë qytetarët."