TIRANË– Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla në vijim të deklaratave mbi pasuritë e fëmijëve të kryeministrit ka bërë thirrje sërish që të deklarohen burimet e fitimeve të tyre. 

“Edhe njëherë sot: Zonja Argita dhe Zoti Berisha Junior! Na tregoni burimet e fitimeve tuaja përrallore të deklaruara prej jush vetë dhe për të cilat pretendoni se janë te pastërta. 
Pse moj zonja Argita nuk i'a tregoni publikut kush janë universitetet shqiptare që të kanë paguar ty më shumë se te ishe në Harvard? Dilni zonjë e nderuar dhe tregojuani shqiptareve se si e realizon ju një fitim vjetor 146 milionë lekë, vetëm me mësuesi, që me një llogari të thjeshtë kërkon 22 orë pune në çdo ditë të vitit! Dilni zoti Berisha Junior dhe thoni ja një, ja dy, ja tre dhe ja si të gjitha bashkë bëjnë kaq qind mijë euro në vit fitim për ju! Pse e keni kaq të vështirë të jepni përgjigje dhe keni më shumë se dy javë që na mbani këtu me të njëjtat pyetje, ndërkohë qe kemi edhe ne kaq shumë punë, sepse në radhë presin shifrat e faktet për ministrat e oborrit të babit.?” 

Më tej Balla renditi disa kërkesa. 

“Duam të dimë:E para, kush e ka paguar Argita Berishën për mësuesi me rrogat e honoraret që ajo pretendon, të cilat kalojnë imagjinatën e çdo mësuesi, pedagogu dhe shkencëtari në Shqipëri? 

E dyta, kush janë bizneset që kanë përfituar nga aftësitë profesionale të Shkëlzen Berishës si ndërmjetës apo shqip sekser, dhe që e kanë paguar për shërbimet e tij me shuma që kalojnë imagjinatën e çdo shqiptari që nuk ka vetë një biznes të madh? 

Dy pyetje që duan dy përgjigje dhe jo dy çarçafë plot baltë nga shtëpia e vajzës dhe djalit të kryeministrit në adresë të opozitës”. 

Deputeti socialist theksoi se akuzat e bëra së fundmi nga Argita dhe Shkëlzen Berisha janë thjesht sharje të urdhëruara nga kryeministri. 

“Përfshirja së fundmi e fëmijëve të kryeministrit në prodhimin e baltës antiopozitare për llogari të babit, na shton edhe më shumë bindjen se punët e shtëpisë dhe punët e qeverisë për Sali Berishen janë një. Madje duket qartë se qeverisja konsiderohet punë shtëpie dhe tani që kësaj qeverie po i vjen fundi, e gjithë shtëpia është ngritur në këmbë për ta mbajtur qeverinë dhe pushtetin me thonj. Origjinaliteti i Saliut është se ka futur edhe fëmijët tani në punë kundër opozitës”. 

Sipas Ballës akuzat e fëmijëve të kryeministrit ndaj Edi Ramës vetëm sa rëndojnë situatën ku ndodhet sipas tij, familja kryeministrore. 

“Dhe që të dy, edhe Argita edhe Shkëlzeni, në vend që të japin nga një përgjigje të thjeshtë duke treguar një për një burimet e të ardhurave të tyre përrallore, dalin përditë dhe shajnë mua apo Edi Ramën. Madje me libër shpie, tamam bëmë baba të të ngjaj! 
Por, puna është se kështu jo vetëm nuk e zgjidhin problemin e tyre me opozitën, e cila kërkon hesap në emër të publikut se këtë detyrë ka, por e rëndojnë edhe më shumë pozicionin e vështirë ku janë.