Gjatë mbledhjes së Komisionit për Integrimin Europian ku në fokus të bisedimeve ishte shqyrtimi i projektligjit “Për mediat audiovizive dhe  komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se ky projektligj nuk bie në kundërshtim.

Sipas Ballës, beteja më e madhe që ka sot shoqëria shqiptare është me dezinformimin dhe se Komisoni Europian ka rekomanduar që të fokusohemi tek çështjet që janë ngritur me OSBE-në.

“Ne të gjithë biem dakord që regjistrimi i portaleve dhe i çdo lloj forme të mediave është i domosdoshëm dhe ka të bëjë me transparencën, qoftë të pronësisë qoftë edhe të garantimit të të drejtave dhe të punonjësve që punojnë në të gjitha këto portale. Biem të gjithë dakort që djem dhe vajza të reja punojnë pa qenë të siguruar dhe të paguar mirë. Këto janë hapa që duhen ndërmarrë nga ana jonë në funksion të formalizimit edhe të këtij sektori me rëndësi përsa i përket informimit publik. Komisoni përgjegjës që është ai i medias në Kuvendin e Shqipërisë ka bërë një punë të shkëlqyer prej muajsh për të adresuar një nga një të gjitha rekomandimet dhe në një vlerësim paraprak më shumë se 95% e këtyre rekomandimeve janë marrë në konsideratë. Edhe rekomandimet e OSBE-së që lidhen me sigurinë juridike, fushëveprimin e kopetencave të autoriteteve të mediave audiovizive,  përfshirë edhe rregullimin e mediave në internet, të cilat supozohet që mund të kenë një efekt negativ në lirinë e shprehjes. Ne presim që komisioni i mediave të mbyllë raportin përfundimtar. Me mbylljen e këtyre raporteve ne mund të japim vlerësimet tona finale. Beteja më e madhe që ka sot shoqëria shqiptare është beteja me dezinformimin. Historia në këtë vend që portale të caktuara apo media të caktuara guxojnë të përhapin panik aty ku nuk ka nevojë për panik dhe të trembin shqiptarët edhe pse jemi në një situatë post traumatike të shkaktuara nga tërmeti duhet të marë fund. Këtu nuk ka nevojë për politikë, por ka nevojë për të gjenë bashkë për një gjë që nevojë që ka vendi”, deklaroi Balla.