Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla gjatë seancës së sotme të Kuvendit deklaroi se deputetët kanë sot përpara një rezolutë, votimin e së cilës e kërkoi për t’i dhënë përgjigje një akti të paprecedentë, siç e quajti ai çdekretimin e datës së zgjedhjeve.

Balla kërkoi që Kuvendi të votonte për shkarkimin e Presidentit ndërsa renditi edhe të gjitha arsyet sipas tij se pse zgjedhjet e 30 qershorit nuk mund të shtyhen.

“Para jush keni një rezolutë që synon t’i japë përgjigje një akti të paprecedentë, me bindjen e plotë ju bëj thirrje ta votojmë rezolutën për të qartësuar këdo, çdo shtetas shqiptar që e drejta e fituar me kaq mund për të pasur zgjedhje të jetë e garantuar. Zgjedhjet do zhvillohen në 30 qershor. Procesi është në raundin e fundit, zgjedhësve t’ju respektohet e drejta për të zgjedhur, janë përdorur shumë burime financiare, kjo kosto e madhe s’ka për të ndodhur që të zhbëhet me dekretin. Më herët janë shtyrë zgjedhjet deri në 1 muaj, nuk mund të marrësh për precedent raste të tjera si 2007 apo 2017, pasi data e shtyrjes në këto raste ka qenë brenda kuadrit të përcaktuar. Dekreti i Metës s’ka lidhje as me shtyrje, as me përsëritjen e zgjedhjeve. Zgjedhejt duhet të ishin dekretuar në një datë tjetër brenda limiteve të përcaktuara nga Kushtetuta, ndërsa dekreti i tij thyen çdo limit në Kushtetutë. Ai ka ka cenuar rëndë parimin e neutralitetit. Ka cënuar të drejtën themelore të zgjedhësve për të zgjedhur e për tu zgjedhur. Mospjesëmarrja e disa partive, thotë Presidenti është mohim i të drejtës për tu zgjedhur, por mospjesëmarrësve në këtë rast nuk i është mohuar e drejta për të garuar. Kush deshi të regjistrohet u regjistrua në zgjedhje. Dekreti është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, synon zhbërjen e një procesi të konsumuar në 90% të tij",- tha ai.

Balla shtoi se PD por edhe LSI iu kanë bërë presin partive të tjera që të mos regjistroheshin në këtë garë ndërsa shtoi se edhe presidenti është në dijeni për këtë.