Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka dhënë një intervistë në lidhje me vizitën e tij zyrtare në Gjermani, e dyta për një periudhë të shkurtër.

Duke vlerësuar marrëdhëniet me Gjermaninë, numri dy i PS-së tha se gjatë këtyre 7 viteve ka pasur shkëmbim të rëndësishëm të dialogut politik dhe marrëdhënieve ekonomike.

“Dua të theksoj se vendi ku po zhvillohet ky takim është një prej motorëve më të rëndësishëm ekonomikë gjermanë, i orentuar tërësisht drejt eksportit në të gjithë botën sikurse janë market e njohura gjermane: Mercedez Benz, Porche dhe emra të tjerë”, tha Balla.

Balla u shpreh optimist se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të fillojnë bisedimet brenda presidencës gjermane, pra mbledhjen e parë ndërqeveritare mes Komisionit Europian dhe dy vendeve.

INTERVISTA

Z, Balla jeni në Gjermani për herë të dytë brenda një periudhe të shkurtër. Si janë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë në aspektin politik dhe dypalësh?

Marrëdhëniet me Gjermaninë janë një prioritet i rëndësishëm i qeverisë sonë. Gjatë këtyre shtatë viteve marrëdhëniet kanë evoluar në një nivel të pakrahasueshëm. Kemi pasur një shkëmbim të rëndësishëm të dialogut politik dhe marrëdhënieve ekonomike.

Krahas marrëdhënieve të shkëlqyera dhe mbështetjes që Gjermania i jep Shqipërisë në kuadrin e proceseve integruese, një dimension të rëndësishëm kanë zënë marrëdhëniet në nivelin ekonomik.

Në këtë këndvështrim është edhe kjo vizitë ku marrim pjesë në një forum me peshë shumë të rëndësishme dialogu dhe debati mbi çështje të mëdha ekonomike.

Kryeministri Rama është i ftuar nderi në këtë forum nga një personalitet sikurse është Günther Oettinger, drejtues prej më shumë se dhjetë vitesh në Komisionin Europian në disa portofole. të njëpasnjëshme. Në forum marrin pjesë edhe përfaqësues të tjerë, qofshin të politikës gjermane të Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjisë, por edhe nga vendet e tjera përreth.

Dua të theksoj se vendi ku po zhvillohet ky takim është një prej motorëve më të rëndësishëm ekonomikë gjermanë, i orentuar tërësisht drejt eksportit në të gjithë botën sikurse janë market e njohura gjermane: Mercedez Benz, Porche dhe emra të tjerë.

Është një land me fokus te kërkimi shkencor, teknologik dhe digjitalizimi të cilat janë sfidat globale me të cilat çdo vend duhet të përshtasë ekonomitë e veta për të përjetuar rritjen ekonomike.

Gjithë kjo prezencë në këtë takim është me qëllim kontakti me kompani të një niveli mjaft të lartë, disa prej të cilave kanë eksperienca edhe në Shqipëri.

Gjatë konferencës morëm fjalën duke treguar eksperiencat e tyre për Shqipërinë sikurse ishte avokati Flygert i cili me të drejtë, nisur nga eksperienca e tij në Shqipëri, e cilësoi Shqipërinë si një rast tejet pozitiv ndër vendet e Ballkanit Perëndimor duke u fokusuar edhe te momenti historik në të cilin ndodhemi sikurse është fillimi i bisedimeve për anëtarësim.

Shpresa dhe pritshmëria jonë është që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të fillojnë bisedimet brenda presidencës gjermane, pra mbledhjen e parë ndërqeveritare mes Komisionit Europian dhe dy vendeve, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Z. Balla në takimet e herëpashershme që zhvilloni me anëtarë të Bundestagut gjerman a keni marrë garanci që data për tryezën e parë ndërqeveritare të jetë e afërt? Cili do jetë roli i këtyre deputetëve të Gjermanisë dhe shteteve të tjera përsa i takon datës për Konferencën e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian?

Edhe në këtë Konferencë kishte përfaqësues, anëtarë të Bundestagut, me të cilët ne kemi një komunikim shumë intensiv në funksion të mbështetjes së Gjermanisë ndaj Shqipërisë.

Por duhet të kuptojmë se bashkëpunimi me Bundestagun gjerman është i rëndësishëm edhe në atë që unë nuk hezitoj ta quaj “diplomacia parlamentare” në funksion të ekonomisë.

E rëndësishme për ne është se në asnjë moment marrëdhëniet e shkëlqyera politike nuk mund të marrin vlerë nëse ato nuk zgjerohen në dimensionet e domosdoshme të ekonomisë.

Në këtë këndvështrim unë dua të theksoj se ne do ta vijojmë këtë komunikim të vazhdueshëm. Kemi garantuar interes të shumë kompanive.

Përmes komunikimit virtual, për shkak edhe të pandemisë, për të prezantuar sa më mirë Shqipërinë, se çfarë ofron Shqipëria ndaj investitorëve gjermanë.

Kemi marrë garanci të disa emrave të mëdhenj që nuk po i them sot të cilët do vizitojnë së shpejti Shqipërinë për të parë nga afër mundesinë për të investuar në fushat dhe sektorët ku Shqipëria realisht ofron kapacitete fitimprurëse për investitorët gjermanë.

Z. Balla, këtu në Gjermani kërkoni të thithni investime të huaja, por presidenti i republikës është shprehur se Shqipëria është në një situatë tejet të vështirë ekonomike duke iu referuar edhe disa prej raporteve ndërkombëtare për ekonominë. Keni ju një koment për presidentin?

Do të ishte humbje kohe për dëgjuesit shqiptarë që teksa flasim për ekonominë shqiptare këtu në Gjermani, teksa investitorë të rëndësishëm gjermanë që janë aktualisht në Shqipëri konfirmojnë faktin që Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm përpara dhe është një destinacion atraktiv për investitorët gjermanë. Nuk meriton ti kthesh përgjegje baltës dhe humbjes së logjikës politike e minimale mendore nga ana e presidentit të republikës për vlerërsimin korrekt të ekonomisë shqiptare.

Shqipëria tashmë është një vend që, edhe pse në një situatë të vështirë të shkaktuar nga tërmetet dhe pandemia, po tregon se po ringrihet.

Politikat e duhura ekonomike nga ana e qeverisë Rama ka mundësuar jo vetëm mos-marrjen e masave shtrënguese në aspektin e ekonomisë por mbështetjen e sektorëve jetikë dhe familjeve në nevojë. Madje është bërë e mundur rritja e pagave.

Kush ka pak logjikë mund të verifikojë se jemi i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor që rrisim pagat në sektorët e domosdoshëm publikë sikurse janë arsimi dhe shëndetësia.

Do vijojnë investimet në infrastrukturë të cilat janë domosdoshmëri në funksion të respektit dhe vëmendjes që ne kemi ndaj komuniteteve të caktuara në të gjithë territorin.

Shqipëria është në rrugën e duhur. Këtë e thonë ata qe e vlerësojnë në mënyrë të pavarur Shqipërinë sikurse janë në radhë të parë politkbërësit gjermanë.  Investitorë me peshë në ekonominë gjermane janë sot të gatshëm të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri.

Kjo është një garanci dhe konfrimim i të kundërtës të asaj që thotë opozita në Presidencë dhe opoztia në SHQUP bashkë me Saliun brenda.