Partia Socialiste i përgjigjet negativisht kërkesës së opozitës jashtëparlamentare për të mbajtur zgjedhje të parakohshme. Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla nga Elbasani pranon që PS po përgatitet për zgjedhje, por për ato të strukturave të partisë, jo për të futur PD brenda sistemit.

"Nuk ka fushatë zgjedhore deri në tetor 2021, por sikurse kemi bërë dhe në 2015, në të njëjtën kohë, këtu kam qenë bashkë me ju kur organizonim procesin e ngjashëm, atë të zgjedhjes së Delegatëve të Kongresit",– tha Balla.

Socialistët theksojnë se PD e ka vendin në komisionin e reformës zgjedhore, por mazhoranca është e bindur në qëndrimin e saj që vetëm në Parlament mund të miratohet, duke refuzuar kërkesën e Lulzim Bashës për strukturë të posaçme.

"Bundestagu gjerman e thotë fjalë për fjalë që Reforma Zgjedhore duhet të përmbyllet brenda Komisionit të Posacëm të Reformës Zgjedhore dhe të miratohet në Kuvend. Kush nuk e di, që e ka pas bërë Parlamentin si shkollë nate, nuk dinte kur hyhej e dilet, duhet ta kuptojë që ligjet në një Republikë Demokratike me Parlament funksional votohen në Parlament, jo në tryeza."- tha sekretari i përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla.

Nddërkohë gjatë ditës së hënë, sekretari i përgjithshëm i OSBE shprehu gatishmërinë për të ndihmuar në ndërtimin e urave të dialogut mes mazhorancës dhe opozitës për Reformën Zgjedhore.