Në emër të grupit parlamentar të mazhorancës, Taulant Balla i bëri thirrje opozitës që javën e ardhshme të marrë pjesë në seancën plenare të Kuvendit, pasi do të diskutohet për buxhetin e shtetit për vitin 2019.

Nga foltorja e Kuvendit, Balla nuk i kurseu ironitë për opozitën, teksa tha se sot e kanë pushim takimet nëpër hotele.

“Sot nuk kanë ndonjë takim në hotele ata, se e kanë pushim, sikurse e kanë marrë pushim prej javës. Detyra jonë është që të miratojmë këto marrëveshje. Javën e ardhme diskutohet në parim buxheti i shtetit dhe paketa fiskale për 2019-n. Apeli im si kreu i grupit parlament të shumicës në Kuvend është që të enjten e ardhshme opozita e ka për detyrim të paraqitet në seancën plenare. Nuk ndodh në asnjë vend të botës së qytetëruar që opozita të mos marrë pjesë në diskutimin për buxhetin e shtetit. Në pamundësi për të paraqitur një buxhet alternativ, sikurse duhet ta bënte çdo opozitë. Të paktën, opozita është e detyruar që të përfaqësojë atë përqindje të votuesve shqiptarë që i kanë dhënë besimin”, tha Balla.