Një ditë pas protestës kombëtare të opozitës së bashkuar, Lulzim Basha ka reaguar në Facebook për vendimin e Presidentit për të anulluar dekretin e datës së zgjedhjeve.

Basha shkruan se Rama tashmë është një kryeministër ilegjitim në sytë e të gjithëve pas përgjimeve të dala nga ‘Bild’. Ai e kërcënon kryeministrin se gjykimi nga populli është i pashmangshëm.

Vendimin e Presidentit Meta, Basha e komenton si një arritje të bashkimit më të madh të shqiptarëve në protestë kundër një procesi monist dhe vjedhjes së votave.

Reagimi i Lulzim Bashës:

Shqiptarët dhe mbarë Europa është tronditur nga përgjimet e publikuara nga BILD, që faktuan se Rama është një kryeministër ilegjitim, se pushtetin nuk e mori me vota, por e mori me krimin dhe me bandat. Sot çdokush e di se në Shqipëri sundon një qeveri e zgjedhur nga mafia dhe jo nga populli.

Vendimi për anullimin e 30 qershorit u diktua nga bashkimi më i madh shqiptarëve për të mos pranuar kurrë më një proces monist dhe kriminal të bandës që sot ka ka vjedhur pushtetin dhe për të mbrojtur standartet dhe vlerat europiane.

Askush nuk duhet të ketë asnjë iluzion. Rama ka kapur çdo pushtet, ka vjedhur çdo qindarkë, ka përdorur çdo mjet për të manipuluar zgjedhjet në bashkëpunim me krimin. Ai është i zhytur në krim dhe i kapur nga krimi!

Më kot po bën gjithçka për t’i shpëtuar gjykimit. Gjykimi i Europës po vjen, gjykimi i popullit është i pashmangshëm! Kryeministri i Avdylajve do largohet! Boll më me Shqipërinë që duan ata, tani është koha e Shqipërisë për të gjithë shqiptarët! #ShqipëriaSiEuropa.