Partia Demokratike firmosi me banorët e Unazës së Re një kontratë, ku shprehet mbështetja e opozitës për protestën e këtyre banorëve në mbrojtje të shtëpive të tyre. PD, e cila e konsideron kriminale prishjen e tyre angazhohet për dy masa: rishikimin e projektit, dëmshpërblimin sipas çmimit të tregut.

“Brenda 2 muajve nga momenti kur Partia Demokratike e Shqipërisë dhe opozita e bashkuar do të jetë shumicë politike qeverisëse, do të rishikojë projektin e zgjerimit të Unazës së Re dhe devijimit të Lumit Lana, si dhe, në përputhje me interesin publik, do të ndërmarrë çdo masë që është e nevojshme për të siguruar zhvillimin e zonës sipas interesit të komunitetit dhe dëmshpërblimin, sipas çmimit të tregut, të çdo prone private që preket nga projekti i rishikuar” – thuhet në kontratën e firmosur nga kreu i opozitës Lulzim Basha dhe banorët e Unazës së re dhe Lumit të Lanës në pjesën ku ai do të devijohet.

PD njofton se angazhohet që në momentin kur do të jetë shumicë qeverisëse, do t’i vlerësojë banesat e ndërtuara në zonën e Unazës së Re sipas Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.