Kryedemokrati Lulzim Basha ka folur për mediat pas përfundimit të takimit në Presidencë bashkë me aleatët.  Basha tha se reforma në drejtësi ka qenë një nga pikat e diskutimit, ndërsa u ndal edhe tek reforma zgjedhore. 

Kryetari i PD-së theksoi se javën e ardhshme do të jetë gati drafti i opozitës për reformën zgjedhore.

"Çështja e dytë që kemi diskutuar është domosdoshmëria për zgjidhjen e krizës politike. Prej më shumë se 3 muajsh kjo detyrë është shtruar edhe nga institucionet ndërkombëtare. Prej më shumë se dy muajsh, opozita ka shprehur gatishmërinë për të kontribuar përmes një dialogu transparent për një reformë zgjedhore dhe zbatimin siç e kërkon Bundestagu. Shtyrja e afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore është një tjetër përpjekje për ti hedhur hi syve shqiptarëve dhe faktorit ndërkombëtar. Opozita as nuk ka kërkuar, as kërkon dhe as nuk mbështet shtyrjen për reformën zgjedhore. Javën e ardhshme opozita do të konkretizojë produktin e saj që është dokumenti strategjik për reformën zgjedhore në amendamentet përkatëse për ndërhyrjet e nevojshme në këto ligje. Pra propozimin e plotë për reformën zgjedhore", tha Basha.