Nga Elbasani, atje ku zhvilloi takimin e rradhës, pak orë përpara zhvillimit të mbledhjes së Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të PD, kreu demokrat Lulzim Basha ka folur për zhvillimet në partinë më të madhe të opozitës, ku një grupim i quajtur “Për PD”, kërkon dorëheqjen e tij, pas humbjes në zgjedhjet e 25 prillit.

“Duan s’duan kundërshtarët tanë, ne jemi një familje e madhe politike, e bashkuar jo nga interesat, as nga krimet e paraardhësve, as nga mëkatet me krimin e organizuar, as nga pazaret me oligarkët, por nga idealet me të cilat lindëm, idealet të cilat na kanë udhëhequr në rrugën tonë, jo pa gabime, jo pa të meta, jo pa probleme, por që ka për të mundur sa herë që kemi patur fatet e vendit në dorë që ta çojmë një hap përpara Shqipërinë”, tha Basha.

Në vijim ai shtoi se në këtë shtëpi të madhe nuk ka të tepërt, ndaj çdo mendim, ide, kritikë konstruktive duhet të jetë e mirëpritur.

“Kjo shtëpi e madhe ka një rregull të vërtetë dhe unik në aplikimin e tij, pushteti buron nga anëtarët e Partisë Demokratike, jeni ju ata që vendosni në votë përfaqësuesit tuaj dhe drejtuesit tuaj. Kështu ka qenë dhe kështu do të jetë shumë shpejt”, theksoi Basha.