Partia Demokratike ka mbledhur Kryesinë pasditen e sotme, ku nuk munguan tensionet.

Gjatë mbledhjes, prioritet i së cilës ka qenë reformimi dhe modernizimi i Partisë Demokratike, është bërë analiza dhe organizimi i partisë. Gjithashtu është vijuar edhe me konsultimin për ndryshimet statutore dhe forcimi i rolit të anëtarësisë.

Kreu i PD-së në fillim të mbledhjes ka folur për analizën e humbjes dhe nisjen e procesit për ringritjen e partisë.

Në fjalën e tij Basha tha se zgjedhjet e 25 qershorit “ishin një luftë”, ndaj u ka kërkuar demokratëve të bashkohen për betejat e ardhshme, me qëllim garantimin e votës së lirë. Sakaq, ai i ka shtrirë dorën kritikëve duke i kërkuar të lënë mënjanë sulmet ndaj njëri-tjetrit, që sipas tij i shërbejnë vetëm Ramës.

“Qëllimi i analizës është përbashkimi, në mënyrë që ne të ndërtojmë përgjigjen për skemën dhe infrastrukturën e blerjes së votës dhe shantazhimit, dhe t’i japim fund kësaj. Duhet ta identifikojmë infrastrukturën e tyre emër për emër, kudo në çdo zonë”, raportohet të ketë thënë Basha.

Në muajin korrik, kryetari Basha kërkoi sistemin e primareve për zgjedhjet e ardhshme.

Ditën e djeshme, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thirri një takim me aleatët. Burime brenda PD-së bëjnë me dije se ai ka nisur konsultimet për reformën zgjedhore.

“Konsultimet do të vazhdojnë me aleatët parlamentarë dhe jo parlamentarë. Teksa konsultime pritet të ketë edhe me çdo forcë politike dhe faktor shoqërorë pro zgjedhjeve të lira”,- sqarohet në njoftimin e PD.

Reforma zgjedhore, sipas PD-së duhet të realizohet për të ndalur manipulimin dhe shitblerjen e votës. Ajo duhet të përfshijë kërkesat e artikuluara edhe më herët nga Basha, votimin e numërimin elektronik dhe votën e emigrantëve.