Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka mbledhur ditën e sotme kryesinë e demokratëve dhe ish-grupin parlamentar në selinë blu, ku ka kërkuar angazhim maksimal dhe intensifikim të takimeve me qytetarët në çdo degë.

Mësohet se Basha ka thënë se situata aktuale politike është komplekse, duke theksuar se 85 përqind e shqiptarëve refuzuan të merrnin pjesë në votimet për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

"Kjo krizë nuk mbyllet me pazar mes PS-PD, siç po flasin mercenarët e Ramës. Kriza zgjidhet me parime. Parimi i parë, është fundi i pandëshkueshmërisë i atyre që kanë vjedhur votat. Për këtë duhet drejtësi e pavarur, por drejtësi me Ramën kryeministër nuk ka për të patur.

30 qershori është dërrmimi më i madh politik dhe moral i ndonjë pushteti në këto 30 vjet. U faktua ajo që ne paralajmëruam: Është varreza politike e Edi Ramës.

Duhet të jemi të qartë në mesazhet tona: Nuk ka kthim pas. Nuk ka ulje në tavolinë me Edi Ramën, me njeriun që vjedh zgjedhjet. Zgjedhje të lira me Edi Ramën nuk ka. Synimi ynë është largimi i tij, është qeveria tranzitore, është krijimi i kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme.

Do të vazhdojmë aksionin politik, do të vazhdojmë protestat. Është koha të bëhemi gati që përveç protestës, të shpalosim bashkë me njerezit alternativën, që shumicën Rama ik, shumicen qe kerkon ndryshim ta kthejmë në një mazhorancë politike dhe qeverisëse."