Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka vizituar sot banorët e Manzës të cilët janë strehuar në çadra, pas dëmeve të shumta që banesat e tyre kanë marrë nga tërmeti i 26 nëntorit.

Pasi ka parë nga afër gjendjen, Basha shprehet se këta banorë janë duke jetuar në kushte mizerabël dhe se këto çadra nuk pengojnë as shiun e as të ftohtin dhe se janë të mbytura në baltë.

Sipas liderit demokrat, banorët ndihen të fyer dhe të diskriminuar, pasi “sipas tyre disa familje janë strehuar në kontenierë, ndërsa të tjerë me fëmijë disa muajsh dhe të sëmurë janë lënë në çadra, ku shiu dhe balta ka përmbytur dhe ato pak gjëra që kanë”.

“Përveç braktisjes, këta banorë po përballen çdo ditë edhe me trajtim të diferencuar. Është kriminale të bësh dallime të tilla mes njerëzve të goditur njësoj e pa dallim nga tragjedia. Duhet urgjentisht që banorët që janë në kampin e llucës të strehohen në konteinerë ose në shtëpi me qera”, shprehet Basha.

Zgjidhja sipas Bashës, është vlerësimi i shpejtë dhe real i dëmit të shkaktuar dhe lëvrimi i parave te qytetarët për rikonstruksion apo rindërtimin e shtëpive.

“Është kriminale që qytetarët të kalojnë ditët dhe netët në shi, baltë, të ftohtë, pa ushqime, pa ngrohje, ndërsa 10 oligarkë të marrin 150 milion dollarë nga paratë e tyre.

Dështimi për të vepruar nga ana e shtetit po shton dhimbjet dhe vuajtet. Duhet menjëherë të përcaktohen fondet dhe të nisë financimi i nevojave të mijëra familjeve të mbërthyera në këtë emergjencë që sa më shumë zgjatet aq më shumë thellohet”, përfundon Basha.