Kryedemokrati Lulzim Basha ishte pasditen e sotme në Durrës, tek Sfinksi, ku zhvilloi një takim me kandidatët për deputetë të kësaj partie për qarkun e Durrësit si dhe me mbështetës të PD-së. Në takim, përveç drejtuesit politik, Edi Paloka, ishin edhe të gjithë deputetët e ardhshëm të Kuvendit, por edhe ata që nuk mundën të siguronin një mandat.

Basha pati paralajmëruar nisjen e turit të takimeve në të gjitha qarqet e vendit, për atë qe e konsideron si fillimi i betejës kundër Edi Ramës.

Basha ka paralajmëruar se do të takohet me qytetarët për të denoncuar manipulimin zgjedhor, ndërsa demokratët kanë paraqitur ankimimet në KQZ për ripërsëritjen e zgjedhjeve parlamentare në 9 qarqe, me përjashtim të Kukësit, Shkodrës dhe Dibrës.

Mesa duket kreu demokrat zgjodhi ta nisë turin e tij nga qyteti bregdetar, ku nuk kanë munguar akuzat e selisë blu për shitblerje votash deri në 1000 euro, duke përmendur edhe emra konkretë që sipas tyre janë të përfshirë në këtë krim zgjedhor.

Disa ditë para datës 25 prill, drejtuesi politik Edi Paloka denoncoi një listë të gjatë me emra të funksionarëve të lartë të PS-së në Durrës në SPAK.

Në zgjedhjet e 25 prillit, PS fitoi 8 mandate deputeti, ndërsa PD 6 të tilla.