Pas takimit me ministrin e Jashtëm të Holandës, Stef blok, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se qeveria ka rënë para syve të gjithë shqiptarëve, por edhe para botës dhe europës.

Në një dalje për mediat, Basha tha se qytetarët do ti japin goditjen përfundimtare qeverisë dhe se protestat janë një mundësi për të folur me njerëzit me të cilët do të ndajë vizionin për të nesërmen.

"Rruga e vetme për tu përballur është rruga e angazhimit të gjithë, bashkimit të qytetarëve për ti dhënë fund kësaj fasade. Ka marrë një goditje fatale nga lëvizja studentore, duhet të marrë një goditje përfundimtare nga qytetarët e bashkuar. Për këtë arsye opozita vendosi të udhëheqë protestat qytetare deri në largimin e kësaj qeverie. Si kundër po bëhet gati për të parashtruar një zgjidhje politike për të cilën do të kemi një vendimmarrje konkrete në Këshillin Kombëtar të PD ditën e shtunë dhe do të kemi një mobilizim të opozitës në bashkëpunim me qytetarët. Unë jam i ndërgjegjshëm që shqiptarët nuk kërkojnë vetëm largimin e vetëm një njeriu, por largimin e një modeli dhe zëvendësimi i tij me një modeli që të punojë për ta. Modeli evropian. Sezoni i protestave që do nisë, do të jetë një mundësi për të folur me njerëzit, për të ndarë me ta vizionin dhe platformën tonë për të nesërmen."