Pas publikimit të detajeve të dosjes Habilaj nga Gjykata e Katanias në Itali, ka ardhur edhe reagimi i kreut të opozitës, Lulzim Basha.

“Faktet dhe provat tronditëse të lidhjes së Edi Ramës dhe Saimir Tahirit me mafian e drogës dhe armëve janë para syve të çdo shqiptari. I bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të mos takohet me të dyshuarin Saimir Tahiri po të veproje pa vonesë për ta vënë atë para përgjegjesisë penale”, shkruan Basha në Facebook.

Sipas gjykatësve dhe prokurorëve italianë, Habilaj përmend Tahirin si kushëririn e tij, si mbështetës të veprimtarisë në shkëmbim edhe të parave për fushatë.

“Provat e hetimit tregojne se narkotrafikantet kanë kontribuar miliona euro ne fushatën e Edi Ramës. 1400 herë Rama ka mbrojtur Tahirin.

Rama burgosi Dritan Zaganin dhe mbrojti Tahirin. Rama e ka quajtur Tahirin bashkëpunëtorin më të ngushte dhe ministrin më të suksesshëm. Sot Edi Rama shiti Saimir Tahirin. Tahiri ka qenë ndërmjetësi i Ramës me Shullazin dhe me Habilajn.

Fakte tronditëse do të dalin në ditët dhe javët në vazhdim për të tjerë ministra të Ramës. Gjithçka është bërë në dijeni të Ramës, në dosjet e Habilajt”, tha Basha.