Opozita ka vendosur që protestën e radhës ta zhvillojë më 25 maj në orën 19:00. Vendimi u mor sot në mbledhjen e kryesisë së Partisë Demokratike.

Pas mbledhjes, Basha u shpreh se protestat do të vijojnë deri sa të sigurohen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pasi sipas tij, blerja e votës është porosi e Edi Ramës.

Kryedemokrati tha se në përgjimet e bëra në Dibër për blerjen e votave është i përfshirë Rama, ndërsa theksoi se vendi është në kushtet e grushtit të shtetit.

Kreu i PD-së tha gjithashtu se gjysma e kandidatëve të PS për zgjedhjet e 30 qershorit janë kriminelë.

“Forumet më të larta drejtuese të PD dhe kryetarët e koalicionit opozitar kanë shqyrtuar gjendjen e rëndë të grushtit të shtetit ku ndodhet vendi. Sot e gjithë Shqipëria dhe bota kanë kuptuar se fshihet makthi i Edi Ramës për atë që e pret në zbardhjen e dosjeve hetimore ku përfshihet drejtpërdrejtë Edi Rama.

Vendimi unanim i opozitës është përballje ballore me të gjitha format. Që nga ky moment do të jemi çdo ditë dhe çdo minutë bashkë me qytetarët në një përballje pa kthim me ushtarët dhe shërbëtorët e juntës kriminale në pushtet derisa të diktojmë kthimin tek demokracia”,-tha Basha.

I pyetur nëse do të përdoren bomba me Molotov në protestën e 25 majit, Basha tha se ai është kundër dhunës, por jo gjithmonë do të jetë udhërrëfyes i njerëzve të cilët janë sulmuar me gazlotsjellës.