Kreu demokrat Lulzim Basha thotë se Rama nuk ka asnjë plan për të ndihmuar qytetarët dhe ekonominë në këtë situatë të rëndë pandemie. Sipas tij, qeveria nuk ka vepruar dhe mungesa e masave për të mbrojtur spitalet dhe qendrat shëndetësore i ktheu ato në vatra të rrezikshme të përhapjes së virusit.

“Shqiptarëve vazhdon t’iu mungojë informacioni se si është gjendja në spitale, sa teste, sa shtretër, sa aparate respiratore dhe medikamente janë në dispozicion për të infektuarit nga COVID-19 dhe për qytetarët që vuajnë nga sëmundje të tjera”.

Basha shton se shumë qytetarë që kanë pasur kontakt me të prekur nga virusi u refuzohet testimi.

“Situata është katastrofike në rrethe, ku të infektuarit e kanë të pamundur të marrin trajtim shëndetësor dhe ju duhet të blejnë vetë edhe aparaturat për oksigjenoterapi”, shkruan Basha.

“Censura për atë ç’ka po ndodh realisht, gënjeshtrat e përsëritura për hapjen e spitaleve të reja COVID, pamjet e rënda të familjarëve që sigurojnë aparatura dhe medikamente për të afërmit e tyre të shtruar në spital, janë pasqyra e qartë e dështimit të qeverisë përballë pandemisë”, shton Basha.

Së fundmi, Basha prek edhe situatën ekonomike, ku thotë që paratë kanë shkuar për tenderë dhe koncesione korruptive.

Mijëra biznese janë mbyllur e qindra të tjera janë në prag falimentimi, mijëra njerëz kanë mbetur pa punë, e për rrjedhojë pa asnjë të ardhur për familjen e fëmijët e tyre. Çmimet po rriten dhe pamundësia po shtohet. Qytetarët duan zgjidhje, duan mbështetje, kanë nevojë për ndihmë. Por kjo qeveri ofron vetëm gënjeshtra dhe propagandë”.

Kreu i PD-së shton se deri më tani mijëra prindër dhe fëmijë nuk kanë të qartë se çfarë do të ndodhë me arsimin.

Në këtë situatë të rëndë, një kryeministër dhe një qeveri e përgjegjshme nuk do ishin përthithur në qejfet e veta dhe pushime luksoze, por do të merreshin seriozisht me pandeminë dhe krizën ekonomike. Sot qytetarët kanë nevojë për ndihmë dhe mbështetje konkrete. Për këtë nevojitet urgjentisht një plan i detajuar për përballimin e situatës së pandemisë, ndihmë reale për gjithë familjet në nevojë, për të përballuar krizën ekonomike, si edhe një rrugëzgjidhje për arsimin, në kushtet kur prindërit dhe nxënësit kërkojnë qartësi së çfarë do të bëhet në shtator me shkollat. Koha nuk pret”, shkruan Basha.