Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me qytetarët e Burrelit.

Basha është shprehur një ditë para protestës së opozitës, se kryeministri Edi Rama duhet të largohet, pasi ka ardhur në pushtet duke futur në Kuvend kriminel dhe trafikantë.

Kryedemokrati theksoi se kryeministri duhet të ishte larguar pas akuzave për trafik droge dhe korrupsion në adresë të tre ish-ministarve të tij, Saimir Tahiri, Fatmir Xhafaj dhe Damian Gjiknuri.

“Edi Rama po të kishte pasur një të njëmijëtën e nderit dhe dinjitetit të Thereza May-t, apo Sebastian Kurtz, apo të një kryeministri normal ballkanik, do të ishte larguar me dhjetëra herë. Do të ishte larguar kur u zbulua se solli në parlament trafikantët e vajzave dhe grave shqiptare, narkotrafikantët dhe vrasësit dhe i bëri deputetë. Për pushtetin e tij kriminalizoi parlamentin. Duhet të ishte larguar kur u zbulua se nën urdhrat e tij dhe të yllit të tij Saimir Tahiri Shqipëria u shndërrua në një hambar droge dhe në një bahçe të krimit të organizuar. Duhet të ishte larguar kur ministri tjetër Fatmir Xhafa u kap me skandalin e vëllait të tij që e mbronte, duhet të ishte larguar kur Damian Gjiknuri u kap në vjedhje pas vjedhjeje, nga skandali i OSHEE tek skandali i Unazës së Madhe.”– tha Basha.