Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ka dalë sonte në mbrëmje në një konferencë para mediave lidhur me përplasjen që ka ndodhur për Gjykatën Kushtetuese. Basha thotë se kjo që po ndodh tregon se kush në të vërtetë nuk e do reformën në drejtësi.

“Rasti i përpjekjes së Edi Ramës për të kapur Gjykatën Kushtetuese, tregon qartë se kush nuk e do reformën në drejtësi. Shkelja e vazhdueshme e Kushtetutës, kapja e çdo institucioni nuk është më përjashtimi por rregulli. Kurajoja që kjo maxhorancë u përpoqën që të shkelnin kushtetutën në mënyrë që të kapnin një anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe lehetësia që u munduan të kalojnë atë tregon dimensionin e vërtetë kriminal. Është tregues i paligjshmërisë totale. Parlament i paligjshëm. Bëjnë teatër dhe kalojnë ligje që të vjedhin e kërdisin shqiptarët. Në këtë kuadër do parë edhe teatri 3-ditor për Gjykatës Kushtetuese”, tha Basha.