Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pasi kryeministri Edi Rama postoi në rrjete sociale një pjesë të deklaratës së Presidentit të KE, Donald Tusk, i cili thoshte se "nuk pati unanimitet për negociatat! Nuk është faji i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut". 

Përmes postimeve në Twitter, Basha akuzon Ramën se nuk pranon përgjegjësitë për vendimin negativ nga BE ndërsa shkruan se ai ka dështuar dhe se Europa e ka refuzuar.

“Mjaft me shfajësime personale dhe fajësimin e të tjerëve zoti Rama! Të gjithë janë lodhur me justifikimet e tua për dështimet e tua, gjithmonë duke mbrojtur veten, kurrë popullin tënd, asnjëherë gati të pranosh përgjegjësinë tënde. Fakti është, Europa të ka refuzuar. Ti ke dështuar.

Kujt do t’ia hedhësh fajin për dështimin me shëndetësinë? Kujt do t’ia hedhësh fajin për ekonominë e shkatërruar? Kujt do t’ia hedhësh fajin për qeverinë tënde të korruptuar?

Ka ardhur koha të pranosh përgjegjësitë për dështimet e tua! Është mbushur kupa. Europa të ka refuzuar dhe shqiptarët do të refuzojnë.” shkruan Basha.