Teksa pritej t’i kthente përgjigje letrës së tretë të kryeministrit Edi Rama për dialog, lideri i opozitës Lulzim Basha është shfaqur në selinë e PD-së me një video selfie dhe një apel për shqiptarët që jetojnë në vendet e Bashkimit Europian.

Basha iu ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve të votojnë në zgjedhjet europiane për partitë e djathta, partitë simotra të Partisë Popullore Europiane.

Lideri demokrat iu kërkoi të gjejnë kohë dhe të votojnë pasi kështu sipas tij, do kontribuojnë për një Europë të fortë, për një Shqipëri të vlerave europiane që është beteja që ka bashkuar sot të gjithë shqiptarët .

MESAZHI I BASHËS
“Të dashur miq ju përshëndes nga selia qendrore e Partisë Demokratike të Shqipërisë në Tiranë. Ky mesazh iu drejtohet të gjithë bashkëqytetarëve tanë, të gjithë bashkatdhetarëve tanë dhe gjithë shqiptarëve, të gjithë bashkëkombësve tanë kudo ku ndodhen në shtetet anëtare të BE-së. Vëllezër dhe motra, në Shqipëri po zhvillohet një betejë për jetë a vdekje, për standardet dhe vlerat europiane të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të lirisë dhe demokracisë, të votës së lirë, të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, të drejtësisë me një standard dhe barazisë para ligjit, të lirisë ekonomike dhe dinjitetit për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Këto janë vlerat europiane për të cilat lufton Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar. Por këto ditë një betejë tjetër po zhvillohet në të gjitha vendet anëtare të BE-së. Zgjedhjet për PE janë një betejë për vlerat europiane, janë një betejë për ta mbajtur Europën të fortë e të bashkuar, demokratike dhe të lirë, mendjehapur dhe vendosur për të siguruar integrimin europian dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE së toku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Kërkesa ime ndaj jush vëllezër dhe motra, zonja e zotërinj, të rinj e të reja është që të ndani pak minuta nga koha juaj, t’i drejtoheni kutive të votimit dhe të zgjidhni Partinë Popullore Europiane, partitë tona simotra, të votoni për partitë simotra të PPE kudo ku ndodheni, në vendet fqinje, në Itali e Greqi, në Gjermaninë mike dhe aleate, në vendet e tjera mike dhe aleate të Shqipërisë, kudo në BE, në vendet skandinave dhe kudo tjetër të zgjidhni partitë simotra të PPE, partisë më të vendosur për vlerat europiane të lirisë e demokracisë.

Partisë që ka udhëhequr Europën drejt kohërave të lirisë, demokracisë dhe prosperitetit më të pashembullt në këto 70 vite. Votoni për partitë simotra të PPE-së dhe në këtë mënyrë do të keni votuar për të përmirësuar pozitat tuaja si shtetas apo si rezidentë në shtetet anëtare të BE-së dhe në këtë mënyrë do të keni votuar për një parti të vizionit europian të një Europe të plotë, në paqe e prosperitet dhe të integruar me të gjitha vendet e saj përfshirë dhe Shqipërinë tonë të dashur, përfshirë edhe Kosovën, përfshirë dhe Maqedoninë, Malin e Zi, madje edhe Serbinë ku jetojnë bashkëkombësit tanë Luginën e Preshevës.

Ndaj ju bëj një thirrje nga zemra ndani disa minuta të çmuara nga koha juaj për diçka shumë më të çmuar, një parlament europian ku PPE, forca e vërtetë e progresit europian, e vlerave dhe idealit europian të jetë dhe të mbetet përsëri forca kryesore vendimmarrëse me anë të së cilës do të arrijmë që në të gjitha vendet tona, e veçanërisht këtu në Shqipëri të çojmë përpara standardet europiane dhe të hapim rrugën e bllokuar drejt Europës, drejt integrimit europian. Në emër të Partisë Demokratike, në emrin tim personal ju ftoj të votoni partitë simotra të PPE dhe kandidatin tonë për kryetar të Komisionit Europian zotin Manfred Weber.

E sotmja, e nesërmja dhe e pasnesërmja do të jenë ditë decizive për një parlament europian dhe më pas institucione europiane që do ta çojnë përpara vendosmërinë dhe axhendën e përfshirjes së gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë në BE. Kjo është një betejë e përbashkët, është beteja për Europën e vlerave, është beteja për Shqipërinë europiane. Ndani kohë nga koha juaj, votoni për partitë simotra të PPE. Të dashur bashkëqytetarë kudo ku jeni, nga Athina në Selanik, nga Roma në Milano, në Gjermani dhe në të gjitha vendet e tjera europiane, thirrja ime e përzemërt është: drejtojuni kutive të votimit, merrni pjesë në zgjedhjet për PE, votoni për partinë simotër të PPE në cilindo vend ku jetoni. Kështu do të keni kontribuuar për një Europë të fortë, për një Europë të vlerave, kështu do të keni kontribuuar për një Shqipëri të vlerave europiane që është beteja që ka bashkuar sot të gjithë shqiptarët , betejë që do fitohet në emër të Shqipërisë, në emër të demokracisë, në emër të të ardhmes sonë europiane. Ju përshëndes nga zemra!