Në mbyllje te vizitës së tij në Parlamentin Britanik dhe Dhomën e Lordëve, kryetari i PD, Lulzim Basha është takuar më anëtarët e Parlamentit dhe Dhomës së Lordëve në Londër. Në këtë takim sipas PD është diskutuar edhe në lidhje me sigurinë dhe stabilitetin në Europën Juglindore dhe kriza politike në Shqipëri.

Autokratët e korruptuar përbëjnë një kërcënim për demokracinë dhe stabilitetin. Kriza e thellë ne Shqipëri ilustron qartë se pa demokraci dhe sundim të ligjit nuk mund të ketë stabilitet dhe as zhvillim ekonomik.Forcimi i institucioneve demokratike, kontrolli dhe kufizimi i pushteteve, drejtesia e pavarur dhe zgjedhjet e lira janë parakusht për integrimin e vendeve tona në BE. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë jetike për demokracinë dhe legjitimitetin e qeverisë para qytetarëve. Për këtë qëllim hapi më emergjent është shkëputja e lidhjeve të provuara mes krimit të organizuar dhe politikës” vuri në dukje Basha.

Lideri i opozitës joparlamentare i njohu bashkëbiseduesit me propozimet e PD dhe opozitës së bashkuar për daljen nga kriza përmes një procesi të lirë zgjedhor dhe një qeverie tranzitore.

Vetëm një qeveri e dalë nga vota e lirë mund të luftojë krimin e organizuar që e ka shndërruar Shqipërinë, sipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit, në një bazë operacionale të rrjeteve kriminale, që veprojnë nga Amerika në Europë dhe Lindjen e Mesme.Për Partinë Demokratike është prioritet strategjik forcimi dhe zgjerimi i bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar jo vetëm në fushën e sigurisë dhe luftën kundër krimit, por në veçanti, në fushën ekonomike dhe atë te investimeve britanike”- mësohet të ketë thënë më pas kreu i opozitës, Lulzim Basha.