Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zbuloi disa nga temat kryesore që ka diskutuar në takim me ministrin e Jashtëm të Italisë, Luigi Di Maio.
Basha tha se e ka falënderuar diplomatin italian për ndihmën e madhe që Italia i dha vendit tonë dhe që vazhdon t’i japë, që prej 26 nëntorit, kur u godit nga një tërmet katastrofik, që la 51 viktima dhe shumë shkatërrim.

Kryedemokrati theksoi se pjesë e diskutimit ka qenë edhe rruga evropiane e Shqipërisë, ku sipas tij, është folur për kontributin që mund të japë opozita në zgjidhjen e krizës politike dhe integrimin e vendit.

“I shpreha mirënjohje për ndihmë e jashtëzakonshme që na dha Italia në ditët e 26 nëntorit dhe që vazhdon të na japë. Ndërkohë që faza e dytë e emergjencës po godet mijëra familje shqiptare, të pastreha, në nevojë urgjente për ndihma humanitare për ushqime, dhe për vlerësimin sa më shpejt të banesave të tyre dhe riparimin apo rindërtimin e tyre. Italianët ishin ndër të parët, me pajisje që na erdhën në ndihmë, por edhe me specialistë të kërkim-shpëtimit. E falënderova dhe për rolin që Italia po luan për integrimin e Shqipërisë dhe për avokatin e palodhshëm që po bën. Diskutuam për krizën dhe kontributin e opozitës për zgjidhjen e kësaj krize, përmes udhërrëfyesit të Bundestagut. 26 nëntori ishte fatkeqësi natyrore, por tregoi qartë se sa i papërgatitur është shteti shqiptar për t’iu përgjigjur një fatkeqësie të tillë. Larg qoftë sikur diçka e tillë të përsëritej prapë sot do të ishim të papërgatitur. Ky është një risk që nuk mund të pranohet. Ndaj kam kërkuar që të kalohet nga fjalët, shfaqjet, sjelljet e papranueshme ndaj gazetarëve, analistëve, dhe të kalohet urgjentisht në vepra që janë detyrë e qeverisë. Qeveria e ka për detyrë të ndihmojë njerëzit në nevojë, të përfundojë një orë e më parë vlerësimin, të shtojë grupet e punës në terren, të anulojë kontratat e oligarkëve, për mijëra familje pa strehë, pa bukë, me fëmijë të vegjël. E ka për detyrë t’i gjendet pranë biznesit, kudo, jo vetëm aty ku është goditur. Ekonomia jonë ishte goditur nga një tërmet ekonomik edhe para këtij tërmeti. Fokusi im dhe e opozitës është të ndihmojë me çdo mënyrë njerëzit dhe jo të bëhemi pjesë e një shfaqjeje, që po na turpëron dhe po shton varfërinë.”