Në konferencën për shtyp me gazetarët, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka folur ndër të tjera për të ashtuquajturën “mafia e ilaçeve”.

I pyetur nga gazetarët se cilët janë personat të cilët kryedemokrati Basha i akuzon si pjesë e “mafies së ilaçeve”, ai ka përmendur deputetin Tom Doshi.

“Emrat e mafies së ilaçeve? Po pse ka njeri në Shqipëri që nuk e di se kush është mafia e ilaçeve? I pari është Tom Doshi. Gjithë politika shëndetësore vërtitet rreth Tom Doshit. Ata hoqën kompanitë perëndimore për t’i hapur rrugë ilaçeve false, ilaçeve me principal aktiv të dyshueshëm dhe i pari dhe kryesori, strumbullari është Tom Doshi. Nuk është i vetëm, ka të paktën dhe një duzinë që vërtiten rreth tij. Nuk ua di emrat. Por e sigurt është që me planin tonë për shëndetësinë nuk do të ketë më asnjë hapësirë për mafien e ilaçeve. Shqiptarët nuk do të blejnë më ilaçe që nuk janë ilaçe, që i pinë dhe nuk kanë efekt. Ministria e Shëndetësisë do të jetë një nga shënjestrat e para të antikorrupsionit me themel”, u shpreh Lulzim Basha.