Kryedemokrati Lulzim Basha ka publikuar në një postim në Twitter  temat e bisedave gjatë takimit të zhvilluar sot me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim.

“Kënaqësi e veçantë të takohesha sot me ambasadoren e ShBA-ve, znj Yuri Kim. Ndava me të planin e Partisë Demokratike për Shqipërinë dhe nevojën për mbështetjen dhe bashkëpunimin e fortë  amerikan, për të përshpejtuar zhvillimim ekonomik, tërhequr investimet amerikane dhe fuqizuar luftën kundër krimit dhe korrupsionit.”– shkruan Basha.

Më herët, ambasadorja amerikane shkroi në Twitter se takimi me Bashën ishte i shkëlqyer si dhe vlerësoi pozitivisht programin e Partisë Demokratike dhe aleatëve.

“Sot pata një takim të shkëlqyer me Lulzim Bashën. E lumtur të dëgjoja programin zgjedhor të PD dhe partnerëve. Unë nënvizova pritjet e SHBA për kandidatë të pastër nga të gjitha partitë. Ne gjithmonë do të jemi të përkushtuar në marrëdhënie të forta mes SHBA-ve dhe Shqipërisë, me respekt për vendimin e votuesve më 25 Prill”, shkruan ambasadorja amerikane.