Një ditë pas protestës së 8-të opozitare dhe vendimit të Presidentit Ilir Meta për anulimin e datës së zgjedhjeve më 30 qershor, krydemokrati Lulzim Basha thotë se largimi i Kryeministrit Edi Rama është i panegociueshëm.

Në një postim në Facebook, kryetari i Partisë Demokratike shkruan se “zgjedhjet farsë të 30 Qershorit u anuluan”. Sipas Bashës, opozita do të vazhdojë betejën për të vendosur standardet europiane.

“Boll më me Shqipërinë që duan ata, tani është koha të luftojmë për Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve! Ora e Shqipërisë si e gjithë Europa po troket dhe nuk ka forcë ta ndalë! Falë vendosmërisë tuaj të pathyeshme, falë bashkimit të zemrave dhe mendjeve të shqiptarëve të lirë, zgjedhjet farsë të 30 Qershorit u anuluan!

Beteja jonë do të vazhdojë deri në triumfin e standarteve dhe vlerave europiane. Pengesa e vetme për në Europë është sundimi i shtetit të bërë njësh me krimin, është qeveria e ardhur me votën e krimit, është kryeministri i Avdylajve. Largimi i Ramës është i panegociueshëm”, shkruan Lulzim Basha.