Pas deklaratave të një prej personave të arrestuar si pjesë e bandës së Shijakut në kuadër të operacionit ‘Vol-Vo 4’, Astrit Avdylajt, i cili përfshin edhe emra të njohur të politikës, vjen një reagim nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Berisha në një postim në “Facebook”, shkruan se maskat ranë pas deklaratës sot në sallën e Gjykatës së Krimeve të Rënda nga Avdylaj, i cili shprehte hapur mbështetjen për kryebashkiakun Vangjush Dakon dhe simpatinë për PS-në.

“Bien Maskat! Rrofte partia e krimit, organizata kriminale, Partia Siçiliste me ne krye Kryekumbar Edvinin, “Rrofte Gjush Avdyli” therret Tit Avdyli (Niçja i Dakos) ne sallen e gjyqit! sb”, shkruan Berisha.

Gjatë seancës ku ka kërkuar lirimin, Avdyli ka deklaruar se i qan hallet në Partinë Socialiste.

“Rroftë Dako, rroftë PS, aty i qaj hallet”, ka qenë kjo deklarata e Astrit Avdylit në Gjykatën e Krimeve të Rënda, çka solli më pas dhe akuza nga PD e kundërpërgjigje nga vetë kryebashkiaku Dako.

“Kam bërë burg politik, kam qenë i persekutuar. Vangjush Dakos i kam shërbyer. Më herët i kam shërbyer Berishës dhe Agron Dukës, por tani kam ndryshuar kah politik. Besoj në programin e Dakos dhe të PS-së”, ka thënë ai.