Ish-kryeministri Sali Berisha tha në një intervistë në abcnews se edhe vende të tjera të BE-së do të ndjekin shembullin e Hollandës duke rikthyer vizat për Shqipërinë. Berisha tha se vendit nuk do t’i hapen negociatat.

“Kam informacione se pas Hollandës edhe vende të tjera të Bashkimit Europian po mendojnë të vendosin vizat me Shqipërinë. Është e vërtetë që vendimi parlamentit nuk është detyrues për qeverinë, por nëse ajo vendos t;i shkojë deri në fund kësaj iniciative nuk ka asgjë që mund ta ndalojë. Hollanda është një nga vendet themeluese të Bashkimit Europian dhe në një debat për këtë çështje mos mendoni se vendet e tjera nuk do të shkojnë pas qëndrimit të saj.

Ka edhe diçka tjetër që duhet ta them. Pas vizave do të ketë edhe një tjetër lajm të keq për Shqipërinë që do të jetë mos-hapja e negociatave. Do na ndajnë nga Maqedonia e Veriut sepse ajo është shtet ndërsa ne jemi narko-shtet.

Edhe sot PD nuk thotë mos hapni negociatat, por ajo thotë që ato të kushtëzohen me një sërë vlerash që janë të rëndësishme për ecurinë e vendit. Kam këtu 13 kushtet që vunë ministrat e jashtëm të BE dhe që asnjë nga ato nuk është plotësuar” – tha Berisha.